• E diel, 18 Janar, 2026

Shqipëria mbyll raportimet për kapitujt 23 dhe 24 me BE-në

EA
Korrik30/ 2025

Shqipëria ka përmbyllur ciklin e raportimeve me Komisionin Europian për kapitujt 23 dhe 24, që përfshihen në grupin e Themeloreve – një ndër më të rëndësishmit në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se “shteti i së drejtës ndërtohet me punë të përditshme, bashkëpunim institucional dhe rezultate të prekshme”. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr 21 takime raportuese, mbi 85 orë diskutime dhe ka dorëzuar mbi 3,500 faqe dokumentacion teknik, shkruan Gazeta Shqiptare.

“Tabelat e përputhshmërisë, draft-ligjet, relacionet shpjeguese dhe analizat cilësore tregojnë qartë për një proces që ecën me standardet më të larta europiane”, theksoi Manja.

Kapitulli 23 (“Drejtësia dhe të drejtat themelore”) dhe kapitulli 24 (“Drejtësia, Liria dhe Siguria”) janë pjesë e grupit që hapi i pari negociatat me BE-në. Këto kapituj trajtojnë themelin e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe janë vendimtarë në ecurinë e mëtejshme të integrimit.

Negociatat zhvillohen në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së. Ato synojnë përafrimin e plotë dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së (acquis), përfshirë reformat ligjore, politike, ekonomike dhe administrative që kërkohen për anëtarësim. Në total, acquis i BE-së është i ndarë në 35 kapituj negociues.

Spread the love