«Bashkësia Shqiptare në Zvicër» dhe Grupi Helsana, siguruesi kryesor i shëndetit dhe aksidenteve në Zvicër, i përfaqësuar nga Almir Kryeziu, kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi e cila do të jetë në shërbim të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe jo vetëm.
Me këtë rast ing. Ahmet Asani kryetar i «Bashkësisë Shqiptare në Zvicër» ka njoftuar përmes një statusi në Facebook:
“Të nderuar bashkatdhetarë, zonja dhe zotërinj, shfrytëzoj nga rasti t’ju përshëndes dhe t’ju njoftoj që më datë 15.08.2025, «Bashkësia Shqiptare në Zvicër» ka arritur marrëveshjen me sigurimin më të madh shëndetësor në Zvicër – Helsana AG, që anëtarëve e simpatizantëve të «Bashkësisë Shqiptare në Zvicër», përpos përfitimeve nga zbritja kolektive prej 20% në sigurimet shtesë, t’u mundësohet edhe këshillimi profesionist në gjuhën shqipe, nga menaxherë shqiptarë që drejtojnë sektorin përkatës në drejtorinë qendrore të sigurimit Helsana në Dübendorf/ZH”, ka shkruar Asani.

