• E enjte, 19 Shkurt, 2026

Sistemi i ri elektronik në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (EES) do të futet gradualisht më 12 tetor

EA
Korrik30/ 2025

Sistemi i ri elektronik i hyrjeve/daljeve në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (EES) do të futet gradualisht më 12 tetor. Sistemi do të dokumentojë në mënyrë dixhitale hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve të treta gjatë qëndrimeve të shkurtra në 29 vende evropiane.

Sistemi EES do të verifikojë të dhëna biometrike si gjurmët e gishtërinjve, imazhet e fytyrës dhe informacione të tjera udhëtimi, dhe do të zëvendësojë gradualisht sistemin aktual të vulosjes së pasaportave.

Sipas Komisionit Evropian, sistemi EES do të modernizojë dhe përmirësojë menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së. Ai gjithashtu do të ofrojë të dhëna të besueshme mbi kalimet kufitare, do të zbulojë sistematikisht personat që kanë tejkaluar afatin e qëndrimit dhe rastet e mashtrimit me dokumente dhe identitet. Sistemi do të kontribuojë kështu në parandalimin e migrimit të parregullt dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve evropianë. Përveç kësaj, përdorimi në rritje i kontrolleve të automatizuara kufitare do ta bëjë udhëtimin më të lehtë dhe më të sigurt për të gjithë, thotë Brukseli, transmeton Radio Televizioni i Sllovenisë.

Shtetet anëtare të Shengenit do të fillojnë gradualisht zbatimin e sistemit EES gjatë një periudhe gjashtëmujore nga 12 tetori. Deri në fund të kësaj periudhe, sistemi EES do të jetë plotësisht funksional në të gjitha kalimet kufitare. Ky kontroll i automatizuar do të përfshijë 25 shtete anëtare të BE-së, duke përjashtuar Qipron dhe Irlandën, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Sistemi i Hyrjes/Daljes është pjesë e paketës së Kufijve të Mençur të BE-së, e cila synon të përmirësojë mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit përmes teknologjisë moderne dhe zgjidhjeve inovative. Paketa përfshin gjithashtu Sistemin europian të informacionit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS) dhe përdorimin e zgjeruar dhe më të koordinuar të sistemeve kombëtare të Kontrollit të Automatizuar të Kufijve (ABC)./GazetaFAKTI

Spread the love