Sot shënohen 70 vjet nga lindja e Adem Jasharit, komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një prej figurave më përfaqësuese të historisë moderne shqiptare.
Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Arsimin e mesëm e përfundoi në Skenderaj, ndërsa vite më vonë do të bëhej një nga figurat kyçe të organizimit dhe drejtimit të luftës çlirimtare.
Pas mbylljes së institucioneve të Kosovës në vitin 1990, ideja e organizimit ushtarak u forcua në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila vepronte ende në mënyrë të kufizuar. Më 3 nëntor 1991, një grup veprimtarësh, mes tyre edhe Jashari, udhëtuan drejt Shqipërisë për trajnim dhe përgatitje për rezistencë të armatosur.
Më 30 dhjetor të po atij viti, shërbimet sekrete serbe lokalizuan grupin dhe ndërmorën aksion për kapjen e tij. Luftëtarët, duke përfshirë Jasharin, kaluan në ilegalitet, duke e vijuar aktivitetin deri në shpërfaqjen publike të UÇK-së.
Nga viti 1997, nisin aksionet më të koordinuara të UÇK-së, me sulmet kundër stacioneve policore dhe me betejën e Rezallës së Re, ku Adem Jashari, bashkë me Mujë Krasniqin, Rexhep e Sylejman Selimin, Ilaz Kodrën, Ilaz Dërgutin e të tjerë, udhëhoqën përballjen e parë direkte që u shndërrua në fitore dhe jehonë ndër shqiptarë.
5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 mbeten datat më të njohura të rezistencës së familjes Jashari, kur forca të shumta policore e ushtarake serbe rrethuan kompleksin familjar në Prekaz. Qëndresa e tyre tre-ditore u shndërrua në simbol të luftës për liri dhe sot njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Figura dhe sakrifica e Adem Jasharit janë vlerësuar nga personalitete të rëndësishme ndërkombëtare. Administratori i parë i Kosovës pas luftës, Bernard Kouchner, ka thënë se “po të ekzistonte një Çmim Nobel për sakrificë për liri, do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.”
Me vendim presidencial, ai mban titullin Hero i Kosovës.
