Dje në moshën 71 vjeçare vdiq aktori i njohur, Enver Petrovci. Ceremonia e varrimit të tij do të mbahet ditën e sotme me fillim nga ora 17:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës. Në njoftimin e Teatrit Kombëtar në Facebook, është bërë e ditur se homazhet për Petrovcin bëhen nga ora 13:30 – 15:30. Kurse, mbledhja komemorative bëhet me fillim nga ora 15:30.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur dhimbjen dhe respektin e tij për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar, Enver Petrovci.
Ai e cilësoi atë si një figurë të rrallë, që me mendimin e kthjellët, humorin dhe lirinë e shprehjes, frymëzonte çdo takim e bisedë.
Kurti kujtoi kontributin e Petrovcit si themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, si profesor në degën e aktrimit të Universitetit të Prishtinës, si dhe rolet e tij të paharrueshme në teatër e film.
Postimi i Plotë:
Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë.
Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.
Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.
Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Petrovci për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci.
Në mesazhin e ngushëllimit thuhej se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci.
“Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë. Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin”, ka thënë Osmani.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur, Enver Petrovci.
Rama përmes një postimi në Facebook, e ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm dhe të dashur Petrovcin.
“Aktor i jashtëzakonshëm, njeri i dashur dhe keqardhje e madhe…
Prehu në paqe Enver Petrovc”, shkroi Rama.
Ministria e Kulturës ka reaguar me rastin e vdekjes së aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci.
MKRS vlerëson se Petrovci ishte më shumë se një emër i madh i skenës sonë: ishte zëri, fytyra dhe shpirti i shumë roleve që shënjuan teatrin, filmin dhe kujtesën kulturore të vendit tonë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të shquar, Enver Petrovci. Ai ishte më shumë se një emër i madh i skenës sonë: ishte zëri, fytyra dhe shpirti i shumë roleve që shënjuan teatrin, filmin dhe kujtesën kulturore të vendit tonë. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me artin dhe publikun. Përmes talentit të pashtershëm, ai i dhuroi gjeneratave të tëra emocione, reflektim dhe dashuri për kulturën”, thuhet në telegram ngushëllimin e MKRS-së drejtuar familjes Petrovci.
Sipas kësaj ministrie, aktori Enver Petrovci ka lënë pas një trashëgimi që do të frymëzojë përherë.
“Në emër të Ministrisë së Kulturës, dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Petrovci, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin artistik. Kujtimi për të dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla përjetësisht. Qoftë i përjetshëm kujtimi të”, thuhet në telegram./GazetaFAKTI
