• E shtunë, 17 Janar, 2026

Të shtëna në bazën ushtarake amerikane Fort Stewart – pesë ushtarë të plagosur

EA
Gusht07/ 2025

Pesë ushtarë amerikanë u qëlluan sot në Bazën Ajrore Fort Stewart në Georgia, duke shkaktuar një bllokim emergjence dhe siguri të shtuar, thuhet në postimin zyrtar të bazës ushtarake Fort Steward në Facebook. “Nuk ka asnjë kërcënim aktiv për komunitetin”, shtoi baza.

Katër nga të plagosurit u dërguan në spital, ndërsa njëri mbeti në vendngjarje, tha ushtria. Ushtria konfirmoi se një i dyshuar ishte identifikuar në të shtënat.

Komandanti i bazës, Kolonel William Weaver, ka urdhëruar një bllokim të plotë të Fort Stewart dhe Bazës Ajrore Wright-Evans aty pranë. Ushtarëve dhe personelit u është urdhëruar të mbyllen në ndërtesat e tyre dhe t’i mbajnë telefonat hapur.
Incidenti ndodhi rreth orës 11:04 të mëngjesit sipas kohës lokale në zonën e Ekipit Luftarak të Brigadës së 2-të të Blinduar. Sipas nënkolonelit Angel Tomko, situata është ende duke u vlerësuar, por sulmuesi është i pranishëm në vendngjarje dhe po punohet për ta neutralizuar atë.

Policia është vendosur në terren dhe të gjitha hyrjet në bazë janë mbyllur. Si masë paraprake, disa shkolla aty pranë – “Button Gwinnett”, “Joseph Martin” dhe Shkolla e Mesme “Snelson Golden” – janë mbyllur gjithashtu.

Guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave në rrjetin social X, ndërsa kongresmeni Buddy Carter tha se po e monitoronte nga afër situatën.

U zbulua identiteti i ushtarit që qëlloi dhe plagosi të pesë ushtarët

I dyshuari për sulmin është Quornelius Radford, një rreshter 28-vjeçar dhe specialist i logjistikës së automatizuar që shërben në Brigadën e 2-të Luftarake të stacionuar pikërisht në Fort Stewart.

Sipas të dhënave zyrtare, Radford nuk është vendosur kurrë në një mision luftarak.

Hetuesit dyshojnë se ai përdori një pistoletë personale, jo një armë zyrtare ushtarake.

Ai u mbajt i ndaluar nga ushtarë të tjerë


Sulmuesi u mbajt i ndaluar nga ushtarë të tjerë në vend. Ai është aktualisht në paraburgim dhe po merret në pyetje nga anëtarët e Departamentit të Hetimit Kriminal të Ushtrisë Amerikane (CID). Motivi i sulmit nuk dihet ende.

Baza ushtarake, duke përfshirë aeroportet ushtarake Wright dhe Evans aty pranë, është rihapur pasi ishte në izolim për disa orë. Autoritetet thonë se nuk ka më kërcënim për komunitetin.

Kjo është hera e dytë këtë vit që ushtria amerikane është përballur me të shtëna brenda radhëve të saj, duke ngritur përsëri pyetje në lidhje me sigurinë dhe shëndetin mendor të anëtarëve të forcave të armatosura.

Agjencitë hetimore dhe strukturat ushtarake vazhdojnë të hetojnë rrethanat e sulmit./Gazeta FAKTI

Spread the love