Për herë të parë në kuadër të një prej festivaleve më të mëdha të birrës në Gjermani që njihet si “Oktoberfest” që mbahet çdo vjet në Munchen, veshjet tradicionale shqiptare u prezantuan në mënyrë madhështore në paradën e famshme të “Trachten – und Schützenzug”, ku marrin pjesë rreth 9 mijë pjesëmarrës nga e gjithë Evropa, të veshur me kostume historike e kulturore, shkruan ATSH.
Përfaqësues të komunitetit shqiptar atje, të mbështetur nga Shoqata “Iliria München”, parakaluan me simbolet dhe kostume kombëtare shqiptare, duke u bërë pjesë e kësaj feste madhështore që tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Një artikull këtij momenti të veçantë, i ka kushtuar edhe mediumi i njohur gjerman Deutsche Welle.
Ky akt shënoi një moment të rëndësishëm në përfaqësimin e kulturës dhe traditës shqiptare në një nga ngjarjet më të njohura dhe prestigjioze të botës.
Shoqata “Iliria Munchen” ka dhënë kontribut të madh në promovimin e kulturës shqiptare dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare mes shqiptarëve dhe komunitetit gjerman.
Xhubleta, veshja ikonike shqiptare mbi 4000-vjeçare dhe e njohur nga UNESCO si pasuri e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, udhëhoqi përfaqësimin shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare.
Nën flamurin e Shqipërisë, parakaloi Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bavari, Gentiana Mburimi, e veshur me kostumin karakteristik të grave të Jugut. Krah saj, nën flamurin e Kosovës, parakaloi Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në një moment simbolik bashkimi kulturor.

