Protesta antiqeveritare u zhvilluan mbrëmë në disa qytete të Serbisë, dhe mediat raportojnë se situata është shumë e tensionuar. Pati përleshe në disa qytete në mes të protestuesve, mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe policisë.
Protesta janë zhvilluar në Beograd, Novi Sad dhe disa qytete të tjera. Në disa vende, pati përleshje pranë ambienteve të SNS-së, dhe policia i pengon demonstruesit të afrohen te ambientet e partisë.
Të shtëna topash u dëgjuan në rrugët e Novi Sadit, mbështetësit e Partisë Progresive Serbe hodhën pishtarë dhe piroteknikë drejt demonstruesve, ndërsa në Beograd, në disa vende, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet nga rrugët.
Tensione pati edhe në Parlamentin serb, ku Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Serbisë, iu bashkua mbështetësve të SNS në Parkun e Pionierit gjatë mbrëmjes.
Disa rrugë në Beogradin e Ri u bllokuan me kontejnerë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një konferencë për shtyp tha se dy policë u plagosën rëndë në demonstrata.
Ai shtoi se “me ndonjë mrekulli” paqja u ruajt.
“Ishte një pikëpyetje nëse rreth 300 qytetarë në Novi Sad do të mbijetonin, të cilët po ruanin shtëpitë e tyre, ambientet e partisë së tyre. Nuk kishte mjaftueshëm policë”, tha ai.
Vuçiç akuzoi demonstruesit antiqeveritarë për dhunë dhe tha se “askush nuk i sulmoi demonstruesit askund”.
Ai shtoi se “nuk do të ketë mëshirë për banditë”.
“Njerëzit në Serbi duhet ta dinë se as nuk menduam ta nxirrnim ushtrinë në rrugë, nuk do të ketë luftë civile, i ftojmë të flasin”, tha ai.
