Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato sipas Nenit 5 të NATO-s, por pa u bashkuar zyrtarisht me NATO-n, thanë burime diplomatike, transmeton Reuters.
“Si një nga garancitë e sigurisë për Ukrainën, pala amerikane ka ofruar një garanci të tipit Neni 5, jashtë NATO-s, me pëlqimin paraprak të (Vladimir) Putin,” tha burimi.
Ai shtoi se Trump e bëri ofertën në një telefonatë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se më vonë u përsërit në një telefonatë me udhëheqësit evropianë. Burimi tha se detajet se cili do të ishte roli i Shteteve të Bashkuara nuk diheshin ende.
Sipas Nenit 5, një sulm ndaj njërit prej 32 anëtarëve konsiderohet një sulm ndaj të gjithë NATO-s.
“Ne kemi nevojë për siguri afatgjatë që përfshin si Evropën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara,” shkroi Zelensky në X pas telefonatës. Ai theksoi se vetëm Ukraina mund të vendosë për çështjet territoriale.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni konfirmoi se Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën gjatë takimit të tyre në Alaska.
“Pika kyçe janë garancitë e sigurisë që do të parandalonin pushtimet ruse në të ardhmen dhe kjo ishte pjesa më interesante e bisedimeve në Anchorage”, tha Meloni në një deklaratë.
Ajo shtoi se Trump kishte përmendur një propozim të mëparshëm italian për garanci sigurie për Ukrainën “të frymëzuar nga Neni 5 i NATO-s”.
Kryeministri britanik Keir Starmer përshëndeti gatishmërinë e SHBA-së për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën si pjesë e çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe do të jetë çelësi për të penguar Putinin”, tha Starmer.
