• E hënë, 20 Korrik, 2026

Trump mbërrin në Tel Aviv, pritet në aeroport nga Netanyahu, do të nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit

EA
Tetor13/ 2025

Presidenti i SHBA, Donald Trump sapo ka zbritur nga avioni i tij në aeroportin Ben Gurion në periferi të Tel Avivit. Ai buzëqeshi dhe ngriti grushtin ndërsa zbriti nga shkallët.

Presidenti i SHBA u prit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.Sipas zyrës së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, Trump do të nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit, dekorata më e lartë civile që jepet nga shteti izraelit.

Ky vlerësim i jepet për përpjekjet e Trump në sigurimin e lirimit të 48 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, 20 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë.

I pyetur pas mbërritjes në Izrael nëse do të donte të vizitonte Gazën, Trump tha:

“E njoh shumë mirë Gazën pa e vizituar. Do të doja ta bëja këtë, do të doja të paktën të shkelja në Gaza. Mendoj se kjo do të ishte një mrekulli e madhe në dekadat e ardhshme. Nëse shkoni shumë shpejt, nuk do të jetë mirë. Duhet të shkoni me shpejtësinë e duhur.”

Hamasi liroi shtatë pengje këtë mëngjes, të ndjekura nga 13 të tjerë. Mbetjet e 28 pengjeve të vdekur pritet të dorëzohen sot, ndërsa fati i dy prej tyre është i panjohur. Gjatë ditës, Izraeli do të lirojë 250 palestinezë të dënuar me burgim të gjatë dhe 1,700 banorë të Gazës të ndaluar pas 7 tetorit 2023, përfshirë 22 fëmijë.

Lirimi i pengjeve dhe i të burgosurve është një nga pjesët më të rëndësishme të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur javën e kaluar në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheikh. SHBA-të ndërmjetësuan marrëveshjen së bashku me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, dhe faza tjetër kërkon formimin e një komiteti ndërkombëtar paqeje të udhëhequr nga Trump. Megjithatë, të dyja palët ende nuk kanë rënë dakord për hapat e mëtejshëm në planin 20-pikësh. Ato përfshijnë qeverisjen e Rripit të Gazës së shkatërruar pas përfundimit të luftimeve dhe fatin përfundimtar të Hamasit, i cili ka hedhur poshtë kërkesat për t’u çarmatosur.

Presidenti Herzog pritet ta informojë zyrtarisht Trump për çmimin gjatë një takimi që do të zhvillohet sot në parlamentin izraelit (Knesset). Ceremonia e dhënies së medaljes pritet të mbahet në muajt në vijim.

Vizita e Trump në Izrael vjen në një kohë kur negociatat për paqe dhe lirimi i pengjeve janë në fokusin e opinionit ndërkombëtar.

Spread the love