Presidenti amerikan Donald Trump do të bjerë dakord për një takim me Vladimir Putin vetëm nëse ky i fundit pranon të flasë me Volodymyr Zelensky, raporton New York Post, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
“Putin duhet të bjerë dakord për një takim me Zelenski-n në mënyrë që takimi të zhvillohet”, tha zyrtari i paidentifikuar. Ai shtoi se vendi nuk është përcaktuar ende.
Më herët sot, Kremlini konfirmoi se takimi Trump-Putin do të zhvillohet “brenda pak ditëve të ardhshme”, dhe Putin përmendi Emiratet e Bashkuara Arabe si një vend të mundshëm. Por, në të njëjtën kohë, ai uli shanset e një takimi me Zelenski-n, duke thënë se takimi mund të zhvillohet vetëm “kur të krijohen kushte të caktuara”.
“Nuk kam asgjë kundër në parim, është e mundur, por kushtet duhet të krijohen. Fatkeqësisht, ne jemi ende larg kësaj”, u tha Putin gazetarëve në Kremlin.
