Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa më të larta për dhjetëra vende anembanë botës për të “ristrukturuar tregtinë globale në favor të punëtorëve amerikanë”, tha Shtëpia e Bardhë.
Tarifat e reja të Trumpit mbulojnë edhe Maqedoninë (15 për qind) dhe vendet e rajonit. Mallrat nga Serbia 35 përqind, nga Bosnja dhe Hercegovina 30 përqind, ndërsa vendet nga Bashkimi Evropian do t’i nënshtrohen një tarife prej 15 përqind. Tarifat e reja variojnë nga 10 deri në 41 përqind, me tarifën më të lartë për Sirinë.
Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do t’i nënshtrohen tarifave prej 15 përqind.
Shtëpia e Bardhë tha se tarifat synojnë “ristrukturimin e tregtisë globale në favor të punëtorëve amerikanë” dhe do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, jo më 1 gusht siç u njoftua.
Tarifat për mallrat kanadeze po rriten nga 25 në 35 përqind, por ato do të jenë në fuqi nga e premtja.
“Në përgjigje të mosveprimit dhe hakmarrjes së vazhdueshme të Kanadasë, Presidenti Trump e ka konsideruar të nevojshme të rrisë tarifat për Kanadanë nga 25 në 35 përqind në mënyrë që të adresojë në mënyrë efektive emergjencën aktuale”, tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Kanadaja nuk kishte bashkëpunuar në goditjen ndaj fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme, njofton REL.
Disa vende kanë arritur marrëveshje për të ulur tarifat, ndërsa të tjerat nuk kanë qenë në gjendje të negociojnë. Trump ka bërë një përjashtim për disa mallra të dërguara gjatë javës së ardhshme. Mallrat nga të gjitha vendet e tjera që nuk janë të listuara në urdhër do t’i nënshtrohen një takse importi prej 10 përqind të SHBA-së. Trump ka thënë më parë se kjo normë mund të jetë më e lartë.
Administrata ka njoftuar gjithashtu se më shumë marrëveshje tregtare janë në proces, ndërsa kërkon të zvogëlojë deficitet tregtare dhe të nxisë industrinë vendase./GazetaFAKTI
