• E enjte, 19 Shkurt, 2026

“Turkish Airlines” bëhet bashkëpronar i kompanisë ajrore spanjolle “Air Europa” për 300 milionë dollarë

EA
Gusht23/ 2025

Turkish Airlines” njoftoi të martën se “Air Europa” kishte pranuar ofertën e saj prej 300 milionë eurosh për të blerë një pjesë të pakicës së aksioneve në transportuesin ajror spanjoll.

Në një deklaratë për rregullatorin e Bursës së Stambollit (KAP), transportuesi kombëtar turk tha se “Air Europa” kishte “pranuar ofertën detyruese të paraqitur” dhe se procedurat e mbylljes kishin filluar.

“Transaksioni përfshin një investim prej 300 milionë eurosh, shumica e të cilave është në formën e një rritjeje kapitali që më pas do të konvertohet në aksione, zotërimi i të cilave do të finalizohet në muajt në vijim. Përqindja e pjesës së pakicës që do të blihet do të finalizohet pas rregullimeve teknike dhe financiare që do të bëhen pas mbylljes së marrëveshjes”, thanë ata.

Raportet e medias në Spanjë dhe Turqi e çojnë shifrën në rreth 26%.

“Turkish Airlines” tha se procesi duhet të përfundojë brenda gjashtë deri në 12 muaj, në varësi të miratimit nga autoritetet rregullatore përkatëse, përfshirë qeverinë spanjolle.

Kompania ajrore paraqiti ofertën e saj detyruese të martën te Globalia, grupi spanjoll i turizmit që zotëron 80% të aksioneve në Air Europa. 20% e mbetur mbahet nga pronari i British Airways, IAG.

Ky veprim vjen dy javë pasi ofertuesit rivalë Lufthansa dhe Air France-KLM u tërhoqën nga bisedimet për të marrë një pjesë të aksioneve në linjën ajrore spanjolle.

Më 7 gusht, “Turkish Airlines” informoi KAP se kishte vendosur të paraqiste një ofertë detyruese për të blerë një pjesë të pakicës në “Air Europa”.

Ajo tha se natyra plotësuese e rrjetit të saj global të pasagjerëve dhe ngarkesave dhe pozicioni i fortë i “Air Europa” në Gadishullin Iberik dhe Amerikën Latine “do të kontribuojnë në arritjen e një rritjeje proporcionale dhe të shpejtë në tregun e Amerikës Latine” dhe do të krijojnë kanale të reja të ardhurash.

Vitin e kaluar, IAG braktisi një përpjekje për të blerë plotësisht transportuesin spanjoll për shkak të kufizimeve rregullatore.

Spread the love