Arkeologët në Shqipëri kanë zbuluar një varr të madh romak që daton nga shekulli i tretë ose i katërt i erës sonë, i pari i këtij lloji i gjetur në vendin ballkanik që dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake, njoftoi Instituti Shqiptar i Arkeologjisë.
“Mbishkrimi na tregon se personi që u varros këtu quhej Geliano, një emër tipik i periudhës romake. Nuk jemi të sigurt për identitetin e personit tjetër, por ai ndoshta është një anëtar i familjes”, tha arkeologu kryesor i projektit, Erickson Nikoli, raporton Reuters sot.
Enë qelqi dhe thika u gjetën gjithashtu në varr.
“Ne zbuluam gjithashtu një copë pëlhure të qëndisur me fije ari, gjë që konfirmon bindjen tonë se është një anëtar i klasës së lartë”, tha Nikoli.
Sipas tij, varri u grabit të paktën dy herë dhe i ishte kushtuar perëndisë Jupiter.
Ekspertët ende nuk kanë deshifruar mbishkrime shtesë në gurët e gjetur aty pranë, të cilat besohet se i përkisnin një monumenti tjetër, i cili tani është i rrethuar nga fusha misri dhe një gurore.
Stafi i Institutit të Arkeologjisë filloi gërmimet në fillim të gushtit, bazuar në një informacion nga banorët vendas të cilët vunë re gurë të pazakontë në një pllajë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, kur gjetën një strukturë nëntokësore me pllaka të mëdha guri gëlqeror të gdhendura me shkronja greke.
