Pas zgjedhjeve lokale, komunat do të kenë numër më të vogët të këshilltarëve. Kështu vendosi dje Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Por, këtij problemi, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, partitë politike shqiptare iu kanë qasur në mënyra të ndryshme. Madje nuk kanë munguar edhe akuzat e ndërsjella, duke hedhur fajin te njëra tjera, si top ping-pongu
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të Komisionit Shtetëror Zgjedhor , për uljen në mënyrë të njëanshme numrin e këshilltarëve në komunat shqiptare, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Ligjit për Vetëqeverisje. Sipas BDI-së pati një mbivotim etnik kundër përfaqësueses shqiptare Ditmire Shehu, si e vetmja në seancë.
Sipas BDI-së, vendimi i KSHZ-së jo vetëm që është politikisht i dëmshëm për shqiptarët, por gjithashtu vendos një precedent të rrezikshëm që e kthen vendin në kohën para vitit 2001, “kur vullneti i shqiptarëve injorohej dhe shkelej sistematikisht, dhe diskriminimi kryhej përmes instrumentalizimit të institucioneve”. “Në shtator të vitit 2024, kjo qeveri monoetnike mori një vendim jokushtetues për të zvogëluar numrin e këshilltarëve. Të vetëdijshëm për shkeljen që bënë, tre muaj më parë ata u përpoqën të ndryshonin Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, por Fronti Evropian e bllokoi këtë iniciativë me shumicën e Badinterit. Sot, pavarësisht faktit që ligji nuk kaloi, pavarësisht faktit që Kushtetuta është e qartë dhe ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese, ata kanë shkelur përsëri të gjitha normat ligjore dhe demokratike. Me këtë vendim, komunat shqiptare dëmtohen drejtpërdrejt, vetëm në Gostivar numri i këshilltarëve zvogëlohet nga 31 në 23, dhe në Strugë, Kërçovë, Vrapçisht, Zhelinë dhe Tearcë reduktohen nga 4 këshilltarë në secilën komunë. Përveç kësaj, diaspora përjashtohet nga llogaritjet zyrtare, gjë që dëmton më tej përfaqësimin dhe zhvillimin ekonomik të komunave tona”, tha BDI.
BDI njoftoi se “ky proces nuk do të mbetet pa përgjigje”.
“Shqiptarët kanë forcën dhe vetëdijen për t’u dhënë këtyre politikave diskriminuese ndëshkimin e merituar. As majorizimi, as shantazhi, as manipulimi nuk do ta errësojnë vullnetin e popullit në referendumin e tetorit”, thotë BDI.
Kasami: Nuk ka bazë etnike në uljen e numrit të këshilltarëve në disa komuna
Kryetari i Komunës së Tetovës, njëherësh edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Biljal Kasami, theksoi se zvogëlimi i numrit të këshilltarëve në komuna të caktuara nuk ka bazë etnike, siç përfaqëson opozita nga blloku politik shqiptar. Ai foli për këtë çështje me kërkesë të gazetarëve në një aktivitet në Tetovë.
“Unë besoj se kjo nuk ka bazë etnike, megjithëse opozita shqiptare po përpiqet ta përdorë atë për lojërat e saj të përditshme politike, dhe duke marrë parasysh që komunat me shumicë popullsie maqedonase kanë humbur më shumë këshilltarë sesa komunat ku shqiptarët janë shumicë. Prandaj, kërkesa ime është që Gjykata Kushtetuese të marrë vendime në lidhje me këtë çështje më shpejt, duke marrë parasysh që po hyjmë në zgjedhje dhe nuk do të doja që dikush të mos i pranonte zgjedhjet, për shkak të kësaj çështjeje”, tha Kasami.
Ai u dërgoi një thirrje të gjithë faktorëve politikë që të mos e keqpërdorin këtë për politikë ditore.
“Sepse tashmë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese ku ka një qëndrim të qartë në lidhje me rezultatet e regjistrimit të fundit dhe për këtë arsye një thirrje për të gjitha institucionet që të veprojnë në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Do të doja që Gjykata Kushtetuese të ishte më e shkathët në këtë drejtim dhe që vendimet që tashmë lidhen me zgjedhjet të merren para zgjedhjeve në mënyrë që të mos përfundojmë në një situatë si me vendimin e mëparshëm që u mor pas dhe është pak më kompleks, si ta zbatojmë atë”, nënvizoi Kasami.
VLEN do të jetë korrigjuesi i “gabimeve të vetëdijshme të BDI-së”
Shqetësimeve të BDI-së, në mënyrë të tërthortë iu përgjigj koalcioni VLEN, dike e akuzuar BDI-në për krijimin e padrejtësive ndaj shqiptarëve.
“BDI pretendon se është e shqetësuar për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, por e vërteta është e hidhur: ata krijuan padrejtësinë që po e dënojnë sot”, thuhet në deklaratën e VLEN.
Ata na kujtojnë se Ligji i regjistrimit të popullsisë u hartua dhe u propozua nga ministra dhe deputetë të BDI-së, përfshirë Bujar Osmanin, Artan Grubin, Fatmir Besimin dhe Arber Ademi. Ata shtojnë se ligji përmban dispozita që, sipas mendimit të tyre, i trajtojnë shqiptarët nga diaspora si të huaj në vendin e tyre.
“Rezultati nuk është një gabim statistikor, por një ulje e qëllimshme e numrit të shqiptarëve dhe një sulm ndaj përfaqësimit të drejtë. Është një padrejtësi historike dhe një nga tradhtitë më të mëdha të kauzës shqiptare”, deklaroi VLEN, duke shtuar se “ndërsa udhëheqja e BDI-së ishte e shqetësuar për interesat e biznesit, shqiptarët përjetuan padrejtësi nga shteti”.
Në deklaratë theksohej se VLEN do të jetë korrigjuesi i “gabimeve të vetëdijshme të BDI-së” dhe se nuk do të lejojë që numrat dhe dinjiteti i shqiptarëve të falsifikohen përsëri.
“Nuk ka amnisti për fajin politik. Koha e mashtrimit ka mbaruar, tani është koha e qytetarit shqiptar”, thotë VLEN./GazetaFAKTI
