• E enjte, 19 Shkurt, 2026

Washington Post: SHBA-të planifikojnë të kontrollojnë Gazën dhe të zhvendosin të gjithë popullsinë

EA
Shtator01/ 2025

Sipas një draft-plani nga administrata Trump, Shtetet e Bashkuara do të merrnin kontrollin e Gazës, do ta shndërronin atë në një zonë turistike dhe do të zhvendosnin dy milionë banorë. Izraeli e mbështet planin, ndërsa OKB-ja e kundërdshton.

Një draft i ri plani që po shqyrtohet nga administrata e Donald Trump do të shihte Shtetet e Bashkuara të merrnin kontrollin e plotë të enklavës palestineze të Gazës, e cila u shkatërrua në luftën e Izraelit kundër Hamasit, raportoi sot Washington Post. Plani do ta shihte Gazën të shndërrohej në një protektorat të drejtuar nga SHBA-të për të paktën 10 vjet, me qëllim zhvillimin e rajonit në një destinacion turistik dhe teknologjik – të quajtur “Riviera e Lindjes së Mesme”.

Dokumenti prej 38 faqesh, i siguruar nga Washington Post, propozon “zhvendosje të përkohshme” të të gjithë dy milionë banorëve të Gazës – ose në vende të huaja përmes migrimit “vullnetar” ose në zona sigurie të kontrolluara fort brenda vetë Gazës, ndërsa rindërtimi është duke u zhvilluar.

Njerëzve që zotërojnë tokë do t’u jepej një “token dixhital” në këmbim të së drejtës për të zhvilluar tokën e tyre. Këto token mund të përdoren për të filluar një jetë të re diku tjetër, ose më vonë të shkëmbehen me apartamente në 6-8 “qytetet e zgjuara me inteligjencë artificiale” të planifikuara që do të ndërtoheshin në Gaza sipas të njëjtit plan.

Të njëjtët njerëz që qëndrojnë pas planit janë të lidhur me fondacionin humanitar amerikano-izraelit GHF (Gaza Humanitarian Foundation), i cili shpërndan ushqim në enklavë, por që është kritikuar nga shumë organizata të të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara.

Administrata e Gazës do t’i transferohej një organi të ri të quajtur GREAT Trust. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka mirëpritur tashmë propozimin, megjithëse është dënuar ashpër nga shumë vende evropiane dhe arabe.

Trump kohët e fundit mbajti një takim për të planifikuar një “Gazë pas konfliktit”, por Shtëpia e Bardhë ende nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare ose nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Nga ana tjetër, zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së raportoi se që nga fillimi i aktiviteteve të GHF, forcat izraelite kanë vrarë mbi 1,000 palestinezë që u përpoqën të siguronin ushqim. Pothuajse tre të katërtat e këtyre vdekjeve ndodhën pranë vendeve të shpërndarjes së ndihmave të GHF./GazetaFAKTI

Spread the love