Zarie Jonuzi Çeliku-Xaka prej nëntë muajsh është drejtorshë e Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup. Në Tetor, trupa e Teatrit do të fillojë provat për shfaqen me kukulla me tekst nga fabulat e Ezopit dhe La Fontenit
Nga Merita ÇOÇOLI
Nga skena në zyrë, nga rolet në teatër, në magjinë e kukllave teatrore… Xaka numuron 17 vite në skenën e Teatrit Shqiptar dhe mbi 37 role në skenat e Shkupit, Tetovës, Kumanovës dhe në Qendrën Teatrore për Fëmijë dhe të Rinj.
Vitet e saj pas shkollimit universitar për aktore, janë të gjitha një përkushtim për Teatrin. Rolet që ajo ka interpretuar në Teatrin Shqiptar të Shkupit janë karaktere të spikatura nga autorë të njohur, si Shekspir, Ibsen, Ismail Kadare, Çehov, Havel etj. Nga performancat klasike, bashkëkohore dhe deri tek ato me kukulla, Xaka ka shpalosur një shkathtësi artistike duke kaluar me finesë mes zhanreve dhe moshave. “Teatri është udhëtim i brendshëm emocional, çdo rol është një përballje me vetenl”, thotë ajo.

Dhe jo vetëm, Xaka ka qënë e suksshme edhe në ekran. Ishte akoma shumë e re kur redaktorja e Redaksisë për fëmijë, Fatmira Çeliku (tashmë e ndjerë), e ftoi atë në Televizionin e Maqedonisë Redaksia në Gjuhën Shqipe, të drejejtojë spektaklet për fëmijë. Me sa duket qysh atëhere lindi dashuria për tetrin magjik në skenën e vogël të kukllave, të cilin ajo e zhvilloi paralel me rolet në Teatër.

Në një perudhë të karierës Xaka së bashku me Raskën, motrën e saj binjake, moderuan emisionin e mëngjesit në televezionin ALSAT në Shkup. Përvoja televizive, ndonëse e ndryshme nga skena, i solli kënaqësinë e komunikimit të drejpërdrejtë me publikun dhe energjinë e një fillimi të ri çdo ditë.

“E kam hedhur vehten edhe në shkrime” , tregon Xaka. “ Kam botuar dy libra për fëmijë, përmbledhjen me tregime, “Çapkënët e klasës” dhe “Dua të bëj një safari,” libër për fëmijë parashkollorë me vjersha, ku secila vjershë është e ilustruar me piktura të vizatuara nga vajza ime vogël, Gonxhja.”

Prej nëntë muajsh Xaka është drejtoreshë e Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup. Duke sfiduar problematikën administrative dhe burokratike, ajo po punon fort e po përpiqet jo vetëm për suksesin e krijimtarisë teatrore, por për ta kthyer teatrin në një mjet të fuqishëm edukimi për fëmijë dhe të rinj. Në ambjentet e teatrit në Çarshinë e Vjetër në Shkup, Xakën e gjen në zyrën e saj të zhytur mes dokumentesh, ndërsa pas pak mund ta shohësh të zbresë shkallët e mermerta për të shkuar në katin e poshtëm ku është skena, që të ndjekë provat e shfaqes.

“ Si nënë e dy fëmijëve qëllimi im është që nëpërmjet shfaqeve në teatër tu sjell fëmijëve përvoja të gjalla, larg ekraneve dhe rrjeteve sociale, të cilat po i largojnë fëmijët çdo ditë e më shumë nga thelbi i vërtetë, fëmijërisë.
Ky Teatër i vogël ka nevojët të madhe për mbështetje institucionale, është e padrejtë që ne si teatri i vetëm shqipar për fëmijë në Maqedoninë e Veriut, të përballemi me probleme bazike, mungesë fondesh për mirëmbajtje, vonesa burokratike etj, të cilat vjinë nga një problem i përhershëm, mosëzgjidhja formale e objektit ku zhvillohet aktiviteti i teatrit .”

Pas riakomodimit të trupës dhe stafit në objektin e teatrit, së fundi u dha premjera e shfaqes për të rinj “E vërteta”, nga Florian Zeller me regji të Besfort Idrizit. Menjëherë u ndije një frymë e re, një performance teatrore ndryshe. Publiku e priti këndshëm, ndërsa Xaka si gjithmonë gjatë këtyre muajve në drejtimin e teatrit, ishte kujdesur deri në detaje për paraqitejen sa më dinjitoze të premjerës, mikpritjen e publikut para dhe pas shfaqes. Shfaqja “E vërteta”, në shtator të këtij viti, do të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Dibër.

Në Tetor, trupa e Teatrit do të fillojë provat për shfaqen me kukulla me tekst nga fabulat e Ezopit dhe La Fontenit. Drejtoresha Zarie Jonuzi Çeliku-Xaka, shpreson se me zgjedhjen e tekstit nga përrallat e dy autorëve të njohur të klasikës botërore për fëmijë, në teatër do të vijë një vale të re fëmijësh.

