Me 97% të kutive të votimit të numëruara në sistemin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tashmë ka një pasqyrë mbi renditjen e partive nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë. Në garën për kryetarë komunash, prin Lëvizja Vetëvendosje me mbi 210 mijë vota, apo 27% të numrit të përgjithshëm. Mbi 33 mijë e 200 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Këto vota mund të përcaktojnë fatin e disa kandidatëve në komuna, por për numërimin e tyre duhet pritur ende.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me mbi 194 mijë vota ose 24%. Si parti e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës, që në total deri më tani ka marrë mbi 180 mijë vota ose 22% e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovësrenditet e katërta me mbi 73 mijë vota ose 9 për qind të numrit të përgjithshëm.
Sa u përket ulëseve në Kuvendet Komunale në të gjithë Kosovën, prin Lidhja Demokratike e Kosovës me 24% të votave ose me 208 vende të siguruara. Pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës me 22% ose 199 ulëse. E treta është Lëvizja Vetëvendosje që siguroi 188 vende ose 21% të votave dhe AAK-ja siguroi 98 ulëse apo 10% të numrit të përgjithshëm.
Në Kosovë, ndërkohë po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendet Komunale. Deri më tani janë numëruar 200 vendvotime.
Krahas numërimit do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve preliminare për kryetarë komunash dhe partive për Kuvendet Komunale.
BE kërkon tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat
Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin paqësor të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke theksuar se procesi u karakterizua nga pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve.
Reagimi erdhi nga zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, e cila kërkoi certifikim të shpejtë të rezultateve dhe tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku fituesit u shpallën që në raundin e parë.
Brukseli kërkoi që raundi i dytë të zhvillohet pa incidente dhe me transparencë të plotë, duke u bërë apel të gjitha palëve të shmangin çdo ndërhyrje që mund të minojë besimin në institucionet vendore.
Një mision ekspertësh të Bashkimit Evropian ndodhet në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, për të vëzhguar procesin dhe për të dhënë një raport përfundimtar në maj të vitit të ardhshëm.
Presidentja e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhje, përmes ndikimit te komuniteti serb dhe Listës Serbe, duke kërkuar reagim të qartë nga BE-ja.
BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse ka prova për ndërhyrje të Serbisë, por ka kujtuar se raportet e mëparshme të misionit vëzhgues kanë evidentuar përfshirjen e mediave të mbështetura nga Kremlini në publikimin e materialeve manipuluese gjatë fushatave zgjedhore.
Pas përfundimit të këtij procesi, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet numërimi i votave të diasporës, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të vecanta.
Vota e diasporës vendimtare!
Mbi 33 mijë e 200 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Këto vota mund të përcaktojnë fatin e disa kandidatëve në komuna, por për numërimin e tyre duhet pritur ende.
Votat e diasporës mund ta shpëtojnë Lëvizjen Vetëvendosje nga balotazhi në Gjilan e mund të përmbysin edhe fitoren e PDK-së në Han të Elezit.
Për garën në Gjilan, janë regjistruar 2 mijë e 66 votues nga jashtë, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni është 0.21 për qind larg sigurimit të shumicës së nevojshme të votave për t’u rizgjedhur kryetar.
Në Han të Elezit, fitoren e ka shpallur Mehmet Ballazhi i PDK-së, por diferenca me kandidatin e pavarur Rufki Suma është 93 vota, derisa të regjistruar për të votuar nga jashtë janë 395 qytetarë.
Diaspora mund të ndikojë edhe në renditjen e partive politike, të cilat do të kenë edhe një raund tjetër.
Në Mitrovicë të Jugut, diferenca mes Arian Tahirit të PDK-së e Faton Pecit të VV-së, është 28 vota, derisa votues të regjistruar nga jashtë për garën në këtë komunë, janë 1 mijë e 186.
Me 1 mijë e 344 vota sa eventualisht mund t`ia sjellë diaspora Junikut, diferenca mes Ruzhdi Shehut të LDK-së e Agron Kuçit të AAK-së mund të thellohet apo edhe të ndryshojë renditja e të parit në garën e balotazhit.
Situatë e ngjashme është edhe në Prishtinë. Për garën në kryeqytet, të regjistruar si votues jashtë Kosovës janë 1715 qytetarë. Por, numërimi i votave nga jashtë pritet të marrë kohë.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, votat nga jashtë së bashku me ato të votimit me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, do të numërohen pasi të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për kuvende komunale ne qendrat komunale të numërimit.
“Nga votimi jashtë Kosovës nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare nga gjithsej 23 të cilat ndodhen në shtete të ndryshme numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33 mijë e 258”, ka thënë Elezi.
