Një zyrtar i lartë i Hamasit ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes për paqe mes Izraelit dhe Hamasit. Në një intervistë ekskluzive për prezantuesen kryesore të lajmeve të Sky News, Yalda Hakim, zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim, paralajmëroi gjithashtu se ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair nuk do të jetë i mirëpritur në asnjë rol pas luftës në Gaza.
Naim tha se armëpushimi nuk do të ishte i mundur pa ndërhyrjen personale të presidentit Trump, por theksoi se ai duhet të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të respektuar marrëveshjen. Po ashtu ai shtoi se Hamasi do të ishte i gatshëm të tërhiqej për t’i lënë vend një organi palestinez që të qeverisë Gazën pas luftës, por do të mbetej “në terren”.
Naim tha në intervistë: “Pa ndërhyrjen personale të presidentit Trump në këtë rast, nuk besoj se do të ishte e mundur të arrihej fundi i luftës. Prandaj, po, e falënderojmë presidentin Trump dhe përpjekjet e tij personale për të ndërhyrë dhe për të ushtruar presion ndaj Netanyahut për t’i dhënë fund kësaj masakre dhe gjakderdhjeje.”
Ai shtoi: “Besojmë dhe shpresojmë që presidenti Trump do të vazhdojë të ndërhyjë personalisht dhe të ushtrojë presion maksimal ndaj Netanyahu-t (kryeministrit izraelit) për të përmbushur detyrimet. Së pari, sipas marrëveshjes, dhe së dyti, sipas ligjit ndërkombëtar si fuqi pushtuese, sepse mendoj se pa këtë ndërhyrje personale nga presidenti Trump, kjo nuk do të ndodhë.
Kemi parë tashmë Netanyahu-n duke folur për mediat, duke kërcënuar se do të rikthehet në luftë nëse kjo apo ajo nuk ndodh.”
Por ai kritikoi planet që Tony Blair të ketë ndonjë rol në të ardhmen e Gazës, duke thënë se Hamasi dhe palestinezët janë të zemëruar për rolin e tij në luftërat e mëparshme në Afganistan dhe Irak.
“Kur bëhet fjalë për Tony Blair-in, fatkeqësisht, ne palestinezët, arabët dhe myslimanët dhe ndoshta edhe të tjerë në botë, kemi kujtime të këqija për të. Ende e kujtojmë rolin e tij në vrasjen dhe shkaktimin e mijëra apo miliona vdekjeve të civilëve të pafajshëm në Afganistan dhe Irak. Ende e kujtojmë shumë mirë pas shkatërrimit të Irakut dhe Afganistanit.”
Sipas planeve të presidentit Trump, Tony Blair do të ishte pjesë e një organi mbikëqyrës ndërkombëtar. Ky organ ndërkombëtar, i quajtur Këshilli i Paqes ose Bordi i Paqes, do të qeveriste sipas planeve të miratuara nga Netanyahu. Organizmi do të kishte pushtetin kryesor, duke mbikëqyrur administrimin nga teknokratët palestinezë që do të menaxhonin çështjet e përditshme.
