• E martë, 20 Janar, 2026

BOTUESIT E REVISTAVE SHKENCORE TË “PËRMBYTUR” ME SHKENCËTARË TË RREMË!

EA
Gusht06/ 2025

Botuesit e revistave shkencore me reputacion të mirë janë të “përmbytur” me punime shkencore të rreme të porositura nga profesorë të dëshpëruar, karriera e të cilëve është në rrezik. Kjo po kërcënon ekzistencialisht revistat, por edhe shkencën në përgjithësi, pasi mjetet e inteligjencës artificiale të përdorura për studime të reja citojnë literaturë shkencore pa bërë dallim midis kërkimeve të ligjshme dhe atyre të rreme.

Vala e studimeve shkencore të rreme që përmbytin revistat po përhapet më shpejt sesa botuesit mund ta zbulojnë mashtrimin dhe ta heqin atë nga revistat. Numri i tyre dyfishohet çdo 18 muaj midis viteve 2016 dhe 2020, sipas një studimi të ri të botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS).

Problemi po krijohet nga grupe ose individë që garantojnë se punimet që mbajnë emrat e tyre do të publikohen në revista legjitime për shkencëtarë me karriera të kërcënuara.
“E gjithë struktura e shkencës mund të shembet nëse kjo çështje nuk zgjidhet”, paralajmëron fizikani Luis Amaral i Universitetit Northwestern.
Gjetja dhe pastrimi i punimeve të falsifikuara është i kushtueshëm. Disa botues kanë tërhequr qindra punime njëherësh, dhe ka pasur raste edhe më të këqija. Botuesi “Wiley”, me një portofol prej 1,600 revistash, njoftoi vitin e kaluar se do të mbyllte 19 botime që kishin rënë viktimë e këtyre marifetllëqeve. Ky botues ka tërhequr më shumë se 11,300 punime shkencore të dyshimta.

Taylor & Francis, një botues akademik i më shumë se 2,700 revistave, kohët e fundit ndaloi së pranuari punime për revistën Bioengineering ndërsa heton legjitimitetin e hulumtimit që ka botuar deri më tani.
“Ne dimë për këto raste, sepse botuesi “Wiley” ka qenë transparent në lidhje me mënyrën se si po përpiqen t’i zgjidhin problemet”, thotë Rhys Richardson, një nga autorët e studimit të ri: (https://www.pnas.org/doi/full/10.1073/pnas.2420092122).

Renee Hoch, drejtuese e departamentit të etikës së botimeve në PLOS, thotë se mjetet e reja të Inteligjencës Artificiale po ndihmojnë në gjetjen më të shpejtë të redaktorëve të korruptuar dhe të punimeve të falsifikuara, madje edhe para se ato të botohen.
Një mjet që ndihmon në zbulimin e mashtrimit është një mjet që gjen foto, imazhe ose diagrame që shfaqen në formë identike në punime të shumëfishta. Këto foto duhet të jenë unike për secilin punim, por në forumin PubPeer u raportuan 4,188 raste të imazheve të dyfishta./GazetaFAKTI

Spread the love