Në një kohë kur gjithnjë e më shumë shqiptarë largohen nga vendi dhe rreziku i asimilimit bëhet real, kjo lidhje me njëri-tjetrin – brenda dhe jashtë kufijve – shndërrohet në më shumë sesa një emocion: ajo funksionon si një mekanizëm mbrojtës kolektiv për të mos u shkrirë në heshtje, për të mos humbur veten në një botë gjithnjë e më uniforme.
Nga Aneta WOLTER
Ekziston një lidhje e pashpjegueshme që shqiptarët duket se ndajnë mes tyre, një ndjesi afërsie që lind menjëherë, sapo fillojnë të flasin. Është si një rrjedhë e padukshme që kalon mes nesh në heshtje, pa pasur nevojë për shumë fjalë. Kjo ndjesi nuk ndikohet nga mosha, vendbanimi, bindjet politike, niveli i arsimimit, pasuria apo gjinia. Është një lidhje që, për mua, nuk ka shpjegim racional: një besim i pashprehur, një përkim intuitiv që shfaqet natyrshëm. Unë e përjetoj shpesh. A është kjo afërsi pasojë e ngjashmërisë gjenetike, e përvojës së përbashkët të edukimit gjatë sistemit komunist, apo ndoshta e një kodi sjelljeje të trashëguar prej shekujsh – Kanunit dhe zakoneve?
Nuk e di. Ndoshta është një përzierje e të gjithave. Mund të jetë ajo që sociologu Émile Durkheim e ka quajtur “solidaritet mekanik” – një formë lidhjeje sociale që lind nga ngjashmëritë mes anëtarëve të një grupi dhe nga një ndjenjë e përbashkët përkatësie, jo nga kontrata apo interesi individual. Një përbërës thelbësor i kësaj lidhjeje është vetë gjuha shqipe. Shqipja nuk është thjesht një mjet komunikimi; shqipja, sidomos në emigrim, na flet përtej kuptimeve të drejtpërdrejta të fjalëve, ajo na përçon histori, emocione të trashëguara dhe të përjetuara, si dhe një ndjenjë të përbashkët që shkon përtej gjuhësisë formale. Nuk mund të them me siguri nëse kjo ndjesi përjetohet njësoj edhe nga popuj të tjerë. Në përvojën time, kjo lidhje nuk është aq e dukshme te gjermanët, për shembull.
Por te shqiptarët, kjo dukuri është reale dhe duket se po bëhet gjithnjë e më e fortë, më e pranishme, më e zëshme. Pse vallë? Mbase është vetë jeta konsumatore moderne ajo që i shtyn njerëzit të kërkojnë një “strehë” konstante. Në këtë kontekst, lidhja shpirtërore mes shqiptarëve nuk janë thjesht emocione nostalgjike, ato përfaqësojnë strategji për të qëndruar të lidhur me vetveten dhe me vendin. Ndërsa popuj të tjerë ndjekin rrugë alternative, esoterike apo filozofike për të mbushur nevojat shpirtërore, shumë shqiptarë i drejtohen instinktivisht gjuhës, traditës dhe ndjenjës së komunitetit si formë rezistence ndaj fragmentimit identitar. Në një kohë kur gjithnjë e më shumë shqiptarë largohen nga vendi dhe rreziku i asimilimit bëhet real, kjo lidhje me njëri-tjetrin – brenda dhe jashtë kufijve – shndërrohet në më shumë sesa një emocion: ajo funksionon si një mekanizëm mbrojtës kolektiv për të mos u shkrirë në heshtje, për të mos humbur veten në një botë gjithnjë e më uniforme. Kjo ndjesi kolektive nuk është folklorike, as romantike në kuptimin sentimental. Në sytë e mi, ajo përfaqëson një strategji të thjeshtë, instinktive, por efikase të mbijetesës kulturore dhe identitare, në të cilën nuk ka asnjë nuancë armiqësore ndaj kulturave të tjera. A duhet mbështetur kjo lidhje? A duhet kuptuar dhe interpretuar me kujdes, pa cinizëm? Unë mendoj se po.
Asgjë që lind brenda nesh nuk është rastësore. Nëse kjo ndjenjë përkatësie ngjizet diku thellë në ndërgjegjen tone kolektive, atëherë ajo duhet dëgjuar, kuptuar dhe përkthyer në vlerë, qoftë edhe në emër të atij premtimi të heshtur ndaj baballarëve tanë. Por, kjo lidhje nuk është vetëm ushqim për shpirtin në diasporë. Ajo ka edhe një dimension konkret shoqëror, ekonomik dhe politik për vetë jetën brenda vendit: për të ndërtuar një shoqëri që funksionon mbi vlera të përbashkëta dhe me rregulla loje të kuptueshme për të gjithë. Ligji, për shembull, është mekanizmi që rregullon jetën shoqërore në shumicën e vendeve perëndimore, por ligji nuk të jep një “shtëpi shpirtërore”. Për popuj që e ndiejnë nevojën për të, si i yni, lidhjet e brendshme duken po aq thelbësore sa edhe institucionet formale. E shkuara e përbashkët dhe ndjenja e afërsisë, nëse kuptohen dhe menaxhohen drejt, nuk janë pengesë, përkundrazi, janë një shtyllë më shumë për të ndërtuar një shoqëri funksionale, të qëndrueshme dhe me lidhje shpirtërore që i rezistojnë kohës.
