Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga Fronti Evropian do të jetë Skender Rexhepi Zejd, deputet dhe udhëheqës i “Lëvizjes Popullore”. Kandidatura e Rexhepit u njoftua nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në faqen e tij në Facebook
“Pas konsultimeve me krerët e partive politike që përbëjnë Aleancën Kombëtare për Integrim, me unitet të plotë dhe me vendim të përbashkët, ramë dakord që kandidati ynë për kryetar të Shkupit të jetë Skender Rexhepi, i cili është kryetar i partisë politike “Lëvizja Popullore”. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Filozofisë, ka përvojë të gjatë dhe të provuar në sektorin civil dhe shoqërinë qytetare. Aktualisht është anëtar i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku është zëri i qytetarëve, mbrojtës i të drejtave të tyre dhe avokat për reforma të thella politike dhe shoqërore. Kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm unitetin e forcave progresive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe një alternativë të qartë ndaj Shkupit, një qytet që meriton zhvillim të barabartë. Aleanca Kombëtare për Integrim është e bindur se me Skender Rexhepin – Zejdin, Shkupi do të ketë një kryetar bashkie që e njeh realitetin, i dëgjon qytetarët dhe punon për të gjithë në mënyrë të barabartë”, shkroi Ahmeti.
