Qyteti i Hiroshimës, në Japoninë perëndimore, po shënon 80-vjetorin e bombardimit atomik të vitit 1945 nga Shtetet e Bashkuara, raportuan agjencitë botërore të lajmeve.
Pikërisht në orën 8:15 të mëngjesit sipas kohës lokale, qyteti mbajti një minutë heshtje – momenti kur bomba atomike u hodh mbi qytetin japonez 80 vjet më parë. Bombardimi i Hiroshimës më 6 gusht 1945 shkatërroi qytetin dhe vrau 140,000 njerëz. Një bombë e dytë, e hedhur tre ditë më vonë në Nagasaki, vrau 70,000 të tjerë.
Japonia u dorëzua më 15 gusht, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore. Bombardimet atomike që përshpejtuan fundin e Luftës së Dytë Botërore janë të vetmet herë në histori që armët bërthamore janë përdorur në luftë, njofton REL.
Me numrin e të mbijetuarve që po zvogëlohet me shpejtësi dhe moshën mesatare të tyre që tani tejkalon 86 vjeç, përvjetori shihet si ngjarja e fundit e madhe për shumë prej tyre.
“Po na mbaron koha dhe po përballemi me një kërcënim bërthamor më të madh se kurrë”, tha një deklaratë nga Nihon Hidankyo, një organizatë qytetare japoneze e të mbijetuarve që fitoi Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar për iniciativën e saj për të hequr armët bërthamore. “Sfida jonë më e madhe tani është të ndryshojmë shtetet me armë bërthamore që na përgjigjen me indiferencë”, shtoi organizata.
Përfaqësues nga më shumë se 100 vende iu bashkuan ceremonive që shënuan përvjetorin. Kryetari i Bashkisë së Hiroshimës, Kazumi Matsui, kryeministri japonez Shigeru Ishiba dhe zyrtarë të tjerë vendosën lule në një memorial për të vdekurit.
Të mbijetuarit e bombardimit dhe familjet e tyre filluan t’u bëjnë nderime viktimave.
