• E mërkurë, 11 Mars, 2026

Ka ndërruar jetë prof. dr. Ramiz Abdyli, njëri prej korifejve të historiografisë shqiptare

EA
Shkurt24/ 2026

Pas një sëmundje të shkurtër, në Prishtinë ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare Prof. Dr. Ramiz Abdyli, historian dhe një emër i shquar i botës akademike e shkencore të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.
I lindur në Llojan të Kumanovës, prof Abdyli shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, Normalen në Shkup ku mbaroi edhe studimet në degën e Historisë dhe Artit të Përgjithshëm.
Angazhimi i tij në arsim daton që nga viti 1963 kur punon një vit mësues në shkollën e Llojanit,dhe në shkollën e Bukovikut të Shkupit,  për të vazhduar në vitin 1970, si mësimdhënës  në gjimnazin e Kumanovës, ku përveç gjuhës shqipe, të gjitha lëndët tjera ishin në gjuhën maqedone. Kjo ka qenë edhe arsyeja që prof. Abdyli të angazhohet për zgjerimin e hapësirës mësimore për shqiptarët në shkollat e mesme të Kumanovës, me hapjen e disa paraleleve në gjuhën shqipe.
Përpos fushës arsimore, prof. Ramiz Abdyli dha një kontribut edhe në gazetari dhe publicistikë, duke u angazhuar në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, në vitet 1975, 76.
Në vitin 1978 prof. Ramizi, një vit pasi kishte magjistruar në shkencat e historisë, dhe katër vite para se të doktoronte, (1982),  ishte përzgjedhur  punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës ku punoi deri në vitin 1994, kur  edhe transferohet në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup.
Pas dështimit të projektit Universiteti shqiptar në Shkup, gjakim ky i kahershëm i tij , prof. Ramiz Abdyli iu bashkangjit projektit të Fadil Sulejmanit, për hapjen e Universitetit të Tetovës në vitin 1994, me çka u  përfshi drejtpërdrejt si në procesin mësimor, ashtu edhe në atë drejtues të këtij universiteti, fillimisht si prodekan i Fakultetit Filozofik dhe pastaj  Rektor i Universitetit të Tetovës në vitin 2003.
Pastaj prof. Abdylin e shohim të angazhuar si drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup në vitet 2008, 2009.
Ai ishte kryeredaktor i revistës historiko-politike “Kosova” në gjuhën shqipe dhe angleze, botim i Institutit të Historisë në Prishtinë dhe Instituti të Historisë në Tiranë (1993-2000). I përzgjedhur në mesin e 5000 personaliteteve të shquara të kohës për vitin 1998 nga Instituti Biografik Amerikan i Karolinës Veriore.
Prof. Ramiz Abdyli është autor i afro 30 veprave shkencore, sidomos nga fusha e historiografisë shqiptare, dhe pjesëmarrës me kumtesa dhe referate në dhjetëra simpoziume e sesione shkencore. Është autor i disa zërave të Fjalorit Enciklopedik të Shqipërisë dhe Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Ka publikuar artikuj të shumtë nga fusha e Historisë së Kohës së Re në shtypin e Kosovës, Maqedonisë dhe të Shqipërisë, si dhe artikuj nga metodika e historisë.
Veprat dhe hulumtimet e tij shkencore-historiografike, vazhdojnë të jenë referenca dhe burime mjaft kredibile në kuadër të studimeve mbi historinë e shqiptarëve gjatë shekujve XIX-XX.
Karriera e tij shkencore e filluar në mesin e viteve 70 të shekullit të kaluar,  u ballafaqua me ide e projekte sfiduese për kohën, por pengu i vetëm prof. Ramiz Abdylit, para se të ndërronte jetë, ishte  dëshira e kahershme për t’u shkruar  historia e mirëfilltë e shqiptarëve, projekt ky që sipas tij ende nuk ishte realizuar.
Varrimi i të ndjerit, do të bëhet ditën e enjte në fshatine tij të lindjes, në Llojan të Kumanovës.  

 

Spread the love