Kryeministri suedez Ulf Kristersson është kritikuar ashpër pasi pranoi se përdor rregullisht mjete të bazuara në inteligjencën artificiale, duke përfshirë ChatGPT dhe shërbimin francez LeChat, për të marrë “mendime të dyta” kur merr vendime politike.
“Unë i përdor ato mjaft shpesh. Nëse jo për ndonjë arsye tjetër, atëherë të paktën për një mendim të dytë. Si ‘çfarë kanë bërë të tjerët’? ‘Dhe a duhet të mendojmë krejtësisht të kundërt’? Pyetje të tilla”, tha Kristersson për gazetën e biznesit Dagens industri.
Ai shtoi se kolegët e tij përdorin gjithashtu mjete të inteligjencës artificiale në punën e tyre të përditshme, gjë që shkaktoi shqetësim midis ekspertëve të teknologjisë dhe sigurisë.
Gazeta Aftonbladet në një koment editorial akuzoi kryeministrin se “ka rënë nën ndikimin e psikozës së inteligjencës artificiale të oligarkëve”, ndërsa profesoresha e shkencave kompjuterike Simone Fischer-Hubner nga Universiteti Karlstad paralajmëroi se “duhet të jesh shumë i kujdesshëm” kur përdor mjete si ChatGPT, veçanërisht kur punon me informacione të ndjeshme.
Zëdhënësi i Kryeministrit Tom Samuelsson sqaroi më vonë se Kristersson nuk përdor inteligjencën artificiale për detyra të klasifikuara.
“Sigurisht që nuk është informacion i ndjeshëm ndaj sigurisë. IA përdoret më shumë si një kornizë për të menduar”, tha ai.
Megjithatë, profesorja e përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në Universitetin Umea, Virginia Dignum, pohon se IA nuk është e aftë të japë një mendim kuptimplotë mbi idetë politike, sepse pasqyron pikëpamjet e krijuesve të saj.
“Sa më shumë që kryeministri përdor IA-në për gjëra të thjeshta, aq më i madh është rreziku që ai të zhvillojë besim të tepruar në atë sistem. Është një strategji e rrezikshme”, tha ajo për gazetën Dagens Nyheter, duke shtuar:
“Ne duhet të kërkojmë që besueshmëria të jetë e garantuar. Ne nuk votuam për ChatGPT”, theksoi ajo, raporton britanikja Guardian.
