• E enjte, 12 Mars, 2026

Në 100 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, dy kokrra lot për veprën e pakryer

EA
Korrik21/ 2025

Që tani e kam të qartë se fama e krijuesve të mëdhenj, sikundër ishte edhe Martin Camaj, asnjëherë s’e kishte atë intensitetin e duhur sa ishin gjallë. Këtë, në mënyrë paksa të tërthortë, ma pat thënë edhe vet Martini gjatë takimit me të në Mynih (1989), i cili pat shprehur brengosje se pse lexuesi shqiptar në atdhe nuke njeh sa duhet. Atëbotë ai ua pat zënë për të madhe edhe studiuesve të letërsisë të cilët ishin treguar së tepërmi të rezervuar ndaj veprës së tij letrare, sidomos me rastin e përpilimit të antologjive e panoramave të ndryshme poetike. 

Nga Emin AZEMI

A thua takimet e njerëzve janë krejt të rastësishtme? Apo ndoshta çdo takim është i udhëhequr prej një predispozite që më vonë ka të ngjarë të shndërrohet në fushë të çudisthme magnetike e cila të rrëmben nga çasti në çast. Pas lajmit për vdekjen e poetit e albanologut Martin Camaj s’munda kurrsesi të dalë prej kësaj fushe magnetike. Qysh në takimin e parë më 1989, në Mynih, në kurreshtjen time kërkimtare gjeta tek Martini figurën e klasikut modern, zërin e eposit shqiptar të fokusuar në idealin e krijuesit-nosit.

Takimi me Martin Camijan dhe bisedat me të bëri që unë ta kundroj ndryshe botën letrare. Me sa më kujtohet, ai, ndër të tjera teksa filiste për procese krijuese dhe autor,  pat përmendur Mitrush Mutelin, i cili sipas tij është shkrimtari me meritat më të mëdha në ngritjen e letërsisë shqipe në nivelet e prozës moderne. Ai më pat folur edhe për problemin e cenzurës nga e cila kishte pësuar më së tepërmi vepra e tij, e cila nuk ishte lejuar të qarkulloj në Shqipëri. Prandaj edhe gjatë bisedës me kolegët e mi në Prishtinë shpesh e kam theksuar humbjen e pakompensueshme nga mosqarkullimi i veprës letrare të Camajt në ambentin tonë kulturor e krijues. Këtë përshtypje edhe tani e mbaj, bile edhe më të përforcuar, sepse po të integrohej me kohë kjo vepër në korpusin e gjithmbarshëm të literaturës shqipe, ne tani me siguri do ta kishim një kahe tjetër shpirtërore, një atmosferë më specifike në letrat shqipe. Mbase këtu qëndron edh humbja e pakompnesueshme e mospranisë së Martin Camajt në rrjedhën moderne të letërisë shqipe.
Martin Camajn shumë pak e kemi mësuar nëpër bankat shkollore. Dinim si nëpër mjegull për të, kurse ata që ishi të thirrur të na e ndriçonion këtë personalitet krijues, s’iu bëhej vonë që këtë punë ta lënë për ndonjë “kohë më të përshjtatshme”. Duke e pritur këtë kohë ne u bëmë burra, disa u thinjëm, e disa të tjerë shkuan në botën tjetër pa e kuptuar pse Martin Camaj ishte i “papërshtatshëm”, bile edhe në vet shtetin shqiptar.
Që tani e kam të qartë se fama e krijuesve të mëdhenj, sikundër ishte edhe Martin Camaj, asnjëherë s’e kishte atë intensitetin e duhur sa ishin gjallë. Këtë, në mënyrë paksa të tërthortë, ma pat thënë edhe vet Martini gjatë takimit me të në Mynih (1989), i cili pat shprehur brengosje se pse lexuesi shqiptar në atdhe nuk e njeh sa duhet. Atëbotë ai ua pat zënë për të madhe edhe studiuesve të letërsisë të cilët ishin treguar së tepërmi të rezervuar ndaj veprës së tij letrare, sidomos me rastin e përpilimit të antologjive e panoramave të ndryshme poetike. 
Tani kur Martin Camaj nuk është më në mesin e të gjallëve, unë, megjithatë, i ruaj të freskëta disa reminishenca kujtimesh gjatë bisedave me të. Diagrami i atyre kujtimeve që fillon në Universitetin Maximilian të Mynihut (Katedra e Albanologjisë) dhe përfundon në Universitetin e Kosovës, mbruan në vete një përvojë modeste, një sekuencë të shkurtër  përjetimesh të rralla. Jo ratsësisht po i përmendi këto dy universitete sepse Martini mes këtyre dy vatrave arsimore e shkencore vendosi ylberin e gjakimeve krijuese. Pas largimit nga vendlindja dhe shkuarjes në megrim, Martini për herë të parë erdhi në mesin tonë, në gusht të vitit 1990, si pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Profesori plak i Universiteti të Mynihut i solli Universitetit të Kosovës sythin e këputur të albanologjisë dhe letërsisë shqipe. Ardhja e sërishme e tij në Kosovë, nuk ishte ardhje e udhëtarit të huaj që udha rastësisht e kishte çuar andej. Dhe kjo ardhje sikur është përgjigje ndaj një pengu që ai e kishte pasur vazhdimisht në shpirt. Sepse edhe në takimin e Myniut më pat thënë: “Më mbesin sytë çelë po qe se nuk e shoh edhe një herë Kosovën”.
Takimin e  sërishëm me Martin Camajn në Prishtinë e pata përjetuar në mënyrë të veçantë. E pata pyetur për gjithçka dhe mundohesha t’i ndihmoj sa është e mundur. Që të jem edhe më i sinqert, një takim të tillë as që e prisja sepse Martini qysh në Mynih më pat komunikuar një njoftim të kobshëm për gjendjen e tij shëndetësore: “Unë jam i sëmurë nga kanceri”, më pat thënë atëherë dhe dy kokrra lot i patën shkuar faqeve. Që të ma bënte të qartë se ata lot nuk dilnin nga frika e vdekjes, Camaj shkakun  e atyre lotëve e pat lidhur me një gjakim jetësor, të cilin ma pat shprehur teksa zbrisnim shkallëve elektrike të Universitetit të Mynihut: “A thua do të arrij ta përfundoj një  libër studimor për arbëreshët?!”
Prandaj, takimi i sërishëm me të, pas dy vjetëve, ishte më tepër se festë, aq më tepër kur isha i njoftuar për gjendjen e tij shëndetësore. Mbase edhe ngazëllimin tim kur e pashë sërish, ai mjaft mirë e pat deshifruar lexuar dhe sikur e pat lexuar mendimin tim: “Ja, Martini ende qenka gjallë”. Mirëpo, nuk e di se pse nuk e pata pyetur a e kishte përfunsuar atë studimin për arbëreshët për të cilin më pat folur në të dalë nga Universiteti i Mynihut para se të hipnim në metro.
Sot kur Martin Camaj nuk është më në mesin e të gjallëve, s’kam se si të mos them: Martini ende ëshë gjallë. Bile ai i ka përfunduar të gjitha veprat, madje edhe atë për arbëreshët. Për ta ruajtur kurorë të freskët kujtimin për Martin Camajn, dhembjen për të do të mund ta kompensonim vetëm duke i lexuar dhe studiuar veprat e tij: romane – “Djella” “Karpa”, “Rrathë”, “Dranja”, poezi – “Një fyell ndër male” dhe “Dallgët e vërrinit”, “Lirika mes dy motive”, Njeriu më vete e me tjerë, drama – “Loja e mbasdrekës”  “Kandili i argjandit”, novelat – “Gjina Gazulli”, “Pishtarët e natës”, “Shkundullima Kultura”.
Kultura jonë kombëtare do të bëhej pronë shpirtërore e brezave në ardhje, vetëm atëherë kur vepra dhe figura e Martin Camajt vendosen në rrafshin e merituar të kierarkisë së vlerave.

 (“Flaka e vëllazërimit”, 20 mars 1992)

Spread the love