Detajet e reja të samitit Trump-Putin në Alaska sugjerojnë se Kremlini po synon të shkojë përtej bisedimeve mbi një “marrëveshje paqeje” në Ukrainë dhe po kërkon një rivendosje gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Takimi do të fillojë në orën 11:30 sipas orës lokale në Alaska, pra në orën 20:30 me orën BST dhe 21:30 me orën CEST.
Yuri Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit dhe ish-ambasadori rus në SHBA, informoi mediat se dy presidentët do të kenë një “takim kokë më kokë” me përkthyes, por gjithashtu do të mbajnë edhe një “takim më të gjerë” me delegacionet dhe një mëngjes pune. Ushakov tha se Ukraina do të jetë “tema qendrore” e bisedës, por dyshja do të diskutojë gjithashtu tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Delegacioni rus do të përfshijë ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus Kirill Dmitriev dhe vetë Ushakovin, tha ai.
Ai shtoi se dy udhëheqësit pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të samitit, e cila pritet të jetë një moment shumë, shumë i rëndësishëm. Dy palët janë takuar disa herë që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, me bisedimet dypalëshe të udhëhequra nga sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio në Riad.
Kjo agjendë më e gjerë duket se është sërish në tryezë, me Rusinë të etur të theksojë përfitimet e mundësive të përbashkëta tregtare. Rusia ka treguar më parë se dëshiron të bashkëpunojë me SHBA-në në disa fusha. Këto përfshijnë tregtinë, mineralet, naftën dhe Arktikun.
Në këmbim të marrëveshjeve me kompanitë e mëdha amerikane të naftës, ajo ka gjasa të kërkojë heqjen e sanksioneve ndaj bizneseve kryesore ruse dhe oligarkëve.
Çdo dobësim nga ana e Trump i sanksioneve amerikane ndaj Rusisë do ta shqetësonte Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë. Ata gjithashtu do të ishin të shqetësuar për një konferencë të përbashkët për shtyp Trump-Vladimir Putin.
Në paraqitjen e tyre të fundit famëkeqe së bashku në Helsinki në vitin 2018, Trump tha se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 – gjë që kishte ndodhur.
Një figurë interesante në delegacionin rus është Kirill Dmitriev, një bankier investimesh dhe kreu i fondit sovran të pasurisë së Rusisë. Dmitriev – një folës i rrjedhshëm i anglishtes – ka shoqëruar Steve Witkoff, të dërguarin e posaçëm të Trump, në disa udhëtime të tij në Moskë. Dmitriev është “pëshpëritësi” i Witkoff për Kremlinin. Detyra e tij është të bindë Shtëpinë e Bardhë se Rusia është serioze për “paqen” në Ukrainë dhe se Volodymyr Zelenskyy është pengesa për këtë.
Trump: Nëse dështon marrëveshja, mund të dal vetëm në konferencë për shtyp
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, parashikoi se takimi i tij me presidentin rus, Vladimir Putin, ka 25% shanse për dështim, duke e parashikuar samitin si një përpjekje për të përgatitur një takim të dytë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit njëvjeçar.
I pyetur gjatë një interviste me Brian Kilmeade të Fox Radio sot nëse kishte ndonjë skenar ku takimi do të shihej si një dështim, Trump tha: “Po, 25%”.
Presidenti Donald Trump tha se mund të vendosë të mbajë një konferencë shtypi individuale në vend të një të përbashkët pas takimit të tij në Alaska me presidentin rus Vladimir Putin nëse “takimi nuk përfundon mirë”.
“Do të mbaj një konferencë për shtyp. Nuk e di nëse do të jetë një takim i përbashkët. As nuk e kemi diskutuar. Mendoj se do të ishte mirë të kishim një takim të përbashkët dhe pastaj të ndaheshim”, i tha presidenti Brian Kilmeade të Fox Radio.
“Pra, diçka e tillë do të ndodhë. Ose takimi nuk përfundon mirë, unë thjesht do të mbaj një konferencë për shtyp dhe do të nisem. Do të kthehem në Uashington.”
Kjo vjen pasi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se plani ishte që udhëheqësit të mbanin një konferencë të përbashkët për shtyp. Kremlini e kishte njoftuar fillimisht këtë.
Trump la të kuptohej se do të fliste me shtypin sido që të ndodhte.
Putin, lavde për Trump: Po punon me energji për marrëveshjen e paqes
Vetëm një ditë përpara se të takohet me Homologun e tij Amerikan për të diskutuar situatën e luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi përpjekjet diplomatike që Donald Trump po bën arritjen e një armëpushimi në luftën e Europës Lindore.
Kreu i Shtetit Rus u shpreh u shpreh se e sheh Donald Trump si një njeri energjik dhe të sinqertë në përpjekjet e tij për paqe, ndërsa shtoi se në takimin e të premtes në Alaska do të diskutohet edhe mbi një marrëveshje mes Washingtonit dhe Moskës mbi armët bërthamore.
“Jemi këtu për t’iu informuar sesi po shkon procesi i negociatave për krizën Ukrainase. Për fazën që ndodhemi aktualisht me administratën Amerikane, siç e di e gjithë bota dhe sipas mendimit tim, ata po bëjnë përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndalur armiqësitë, për të ndalur krizën dhe për të arritur marrëveshje që janë në interes të të gjitha palëve të përfshira në konflikt.
Qëllimi do të jetë të krijojmë paqe mes vendeve tona, në Europë dhe në mbarë botën nëse do të arrijmë edhe një marrëveshje në lidhje me kontrollin e armëve bërthamore në mbarë botën.”, tha presidenti rus.
Deklaratat e bëra nga Vladimir Putin këtë të enjte vijnë pasi Presidenti Amerikan Donald Trump kërcënoi Rusinë me pasoja të rënda nëse Vladimir Putin nuk pranon një marrëveshje armëpushimi në takimin e të premtes.
Kremlini dhe Washingtoni kanë zbuluar se dy liderët do të fillojnë bisedimet mes tyre në orën 11:30 me kohën lokale të Alaskës, që në Shqipëri i bie të jetë ora 21:30 minuta. Në këtë takim Trump dhe Putin do të jenë kokë më kokë të vetëm përballë njëri tjetrit ku pjesëmarrës të tjerë do të jenë vetëm përkthyes të tyre.
Pas kësaj bisede Trump Putin e cila do të fokusohet tek lufta në Ukrainë, do të ketë edhe takime mes delegacionit Amerikan dhe atij Rus mbi çështje të tjera si marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe çështje të tjera.
Në përfundim të këtyre takimeve, Presidenti Amerikan Donald Trump dhe ai Rus Vladimir Putin do të mbajnë një konference të përbashkët për shtyp ku do të përmbledhin rezultatin e negociatave. Kjo do të ishte hera e parë që një lider rus dhe amerikan mbajnë një konference të përbashkët shtypi që prej vitit 2018, pas takimit Trump Putin në Helsinki.
Tjetër koncension për Putin, Rusia do shfrytëzojë burimet e rralla të Alaskës
Donald Trump po përgatitet t’i ofrojë Vladimir Putinit akses në mineralet e rralla të tokës për ta nxitur atë të përfundojë luftën në Ukrainë.
Kështu thekson media britanike, The Telegraph duke shtuar më tej spekullimet për një lehtësim të sanksioneve të Trump kundrejt Putin.
Presidenti amerikan do të mbërrijë në takimin e shumëpritur me homologun e tij rus të premten i pajisur me një numër mundësish për të fituar para për Putinin.
Ato do të përfshijnë hapjen e burimeve natyrore të Alaskës për Moskën dhe heqjen e disa prej sanksioneve amerikane mbi industrinë e aviacionit të Rusisë, zbulon The Telegraph.
Propozimet përfshijnë dhënien e aksesit Putinit në mineralet e rralla të tokës në territoret ukrainase të pushtuara aktualisht nga Rusia.
Scott Bessent, sekretari i thesarit të SHBA-së, do të jetë midis figurave të administratës që do ta informojnë Trump përpara takimit të tij me Putinin në Alaksa./GazetaFAKTI
