Rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash në Maqedoni pasuan votimin e dy javëve më parë. Me një pjesëmarrje shqetësuese të ulët prej rreth 40 përqind, kandidatët e VMRO-DPMNE fituan edhe një duzinë postesh kryetarësh komunash, ato në të cilat kishin investuar më shumë – në Karposh të Shkupit, në Kërçovë dhe në Bërvenicë. Bilanci i këtyre zgjedhjeve, të raundit të dytë, nxori në pah aleancat politike me atribute të ndryshme etnike, sidomos në Kërçovë dhe Bërvenicë ku këto aleanca shkuan në favor të kandidatëve maqedonas
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të cilat janë ende jozyrtare: VMRO – DPMNE fitoi 21 komuna, VLEN fitoi 4, LSDM fitoi 3, AKI, UNIONI I ROMËVE, ZNAM dhe Mendi Qyra nga 1 komunë.
Lajmi i dytë kryesor është rënia e plotë e kandidatëve të AKI (BDI-së) në raundin e dytë. BDI humbi në Kërçovë, humbi në Strugë, në Dibër, në Tetovë. Kjo është humbja më e madhe e BDI-së dhe Ali Ahmetit që nga viti 2022 deri më sot. Koalicioni VLEN ka trumfuar me një epërsi maksimale dhe më i merituari për këtë është njeriu që ishte pranë Ahmetit për dy dekada, Izet Mexhiti.
LSDM mund të fitojë maksimumi tre komuna të tjera, disa nga kandidatët e tyre humbën edhe aty ku kishin udhëhequr pas raundit të parë. Kjo ishte e pritshme.
Orce Gjorgjievski do të udhëheqë kryeqytetin për katër vitet e ardhshme. Por fitorja e tij, edhe në raundin e dytë, nuk mban shenja triumfi, sepse ai fitoi pothuajse të njëjtin numër votash si dy javë më parë. Me 96 përqind të votave të numëruara, Gjorgjievski ka 93,172 vota, ndërsa Amar Mecinović nga Levica ka 59,098. Nëse e dimë që me një pjesëmarrje më të ulët, Mecinović arriti të marrë 30,000 vota më shumë sesa në raundin e parë, ky është një sukses i jashtëzakonshëm, para së gjithash për të, dhe më pas për partinë e tij Levica. Marzhi i fitores për Gjorgjievskin është 1.58:1, gjë që tregon se mesazhet e Mecinoviç-it gjetën jehonë tek një pjesë e madhe e banorëve të Shkupit, veçanërisht tek votuesit më të rinj.
Në fakt, nëse ka një “fitues” të madh në raundin e dytë, ai është Amar Mecinoviç, edhe pse humbi në Shkup.
Gjorgjievski bëri diferencat më të mëdha në komunat e zakonshme gtë udhëhequra nga VMRO: Gazi Baba, Kisella Voda dhe Aerodrom.
Është interesante se deri në numërimin e qendrës së fundit të votimit në Brvenicë, kandidati i “Vlenit” kryesonte, por në momentin e fundit numrat ndryshuan dhe kryetari i mëparshëm i komunës nga VMRO-DPMNE, Jovica Ilievski, fitoi.
Në Koçan, qytetin që ende jeton nën vulën e tragjedisë së madhe, qytetarët, për arsye të njohura për ta, i dhanë mbështetjen e tyre kandidatit të VMRO-DPMNE-së, edhe pse ajo ishte partia që udhëhoqi këtë qytet kur 63 të rinj vdiqën në diskoteken “Puls”.
LSDM ka një komunë me të cilën mund të shërojë disa “plagë” – Qendrën e Shkupit. Rezultatet nuk janë përfundimtare, por ndryshimi midis kryetarit aktual të komunës, Goran Gerasimovski, dhe kundërshtarit të tij Miroslav Labudoviç nga ZNAM, i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe partnerë të tjerë të koalicionit, është shumë i madh.
Një nga humbjet më të hidhura për LSDM është ajo në Krushevë ku kandidati i partisë dhe kryetari aktual i bashkisë, Tome Hristovski, humbi vetëm me 19 vota, megjithëse kryesoi bindshëm në raundin e parë dhe vetëm për pak humbi fitoren.
Partia përballet me një rivlerësim të madh, jo aq shumë në strukturën udhëheqëse, sa në rrugën ideologjike që duhet të ndjekë më pas.
Këto zgjedhje lokale kanë treguar se dashuria e qytetarëve për VMRO-DPMNE vazhdon pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar dhe se pushteti në vend është plotësisht i tyre, në të gjitha nivelet. Ata nuk do të jenë më në gjendje të kërkojnë justifikime se në Shkup ose në qytete të tjera kundërshtarët politikë mund të bllokojnë politikat e qeverisë qendrore.
Një nga risitë e këtyre zgjedhjeve që do të shërbejë për analiza të mëtejme, ishte bashkëpunimi poliitk në mes të dy koalcioneveve – kolacionit shqiptar (VLEN) dhe atij maqedonas (VMR0-DPMNE). Si rezultat i këtij bashkëpunimi ndodhi edhe përmbysja e skenës politike në Kërçovë ku fitoi Aleksandar Jovanovskit (VMRO-DPMNE) kundër kandidatit të BDI-së. Ky bashkëpunim prodhoi edhe rezultatin zgjedhor në Bërvenicë në favor të kanditati ttë VMRO-DPMNE-së.
Ahmeti: Rezultatet për disa komuna nuk janë pasqyrë e vullnetit real të qytetarëve
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas daljes së pjesës më të madhe të rezultateve zgjedhore ka dalë në një paraqitje për media, ku ka thënë se aleanca që BDI udhëheqë – Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), ka fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin apo të votës kombëtare në këto zgjedhje me mbi 23 mijë vota më shumë. Megjithatë, ai pranoi se, nuk kanë arritur ta fitojnë garën për kryetarë të komunave..
Ahmeti theksoi se, ky është një mesazh kompleks që e pranojnë me respekt dhe përgjegjësi.
“Qytetarët kanë treguar se besojnë në vlerat tona, në vizionin tonë, por njëkohësisht kërkojnë që të rinovojmë mënyrë se si përfaqësojmë këto vlera në terren. Rezultatet për disa komuna nuk janë pasqyrë e vullnetit real të qytetarëve, por pasojë e koalicioneve jo parimore dhe marrëveshjeve të përkohshme që në thelb kanë shkelur frymën e garës demokratike. Këto bashkime artificiale mund të na sjellin fitore afatshkurtra në letër, por do të kenë pasoja serioze për progresin dhe arritjet e deritanishme në nivel lokal, por sidomos në nivel kombëtar”, deklaroi Ahmeti.
Ai po ashtu ka drejtuar kritika edhe për fushatën zgjedhore duke thënë se pushteti ka keqpërdorur resurset shtetërore për fushatë.
Në Ohër dhe Shkup – 12 fluturime çarter të jashtëzakonshme
Gjatë fundjavës zgjedhore, kur po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, u regjistrua trafik dukshëm i shtuar në aeroportet në Ohër dhe Shkup, me gjithsej 12 fluturime çarter të jashtëzakonshme, transmeton Portalb.mk.
Frekuenca më e lartë ishte në aeroportin “Shën Pali Apostull” të Ohrit, ku gjashtë aeroplanë zbarkuan të shtunën, më 1 nëntor. Dy prej tyre ishin Airbus A320 me nga 180 vende secili nga Bazeli, dhe katër Embraer 190 me një kapacitet prej 110 vendesh mbërritën nga Cyrihu. Gjatë ditës së djeshme, dy fluturime të tjera çarter u realizuan në Ohër, një nga Cyrihu dhe një nga Bratisllava.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, fluturime çarter nga Cyrihu, Bazeli dhe Dortmundi zbarkuan të shtunën, ndërsa një fluturim nga Dyseldorfi u realizua të dielën. Kapaciteti i aeroplanëve që zbarkuan në kryeqytet varionte midis 110 dhe 180 vendeve.
Sipas videove të shpërndara në rrjetet sociale, pasagjerët ishin kryesisht emigrantë nga Struga dhe Kërçova, dy nga komunat ku zhvillohet raund i dytë votimi./ GazetaFAKTI
