• E martë, 20 Janar, 2026

Nga demokracia drejt diktaturës pluraliste!

EA
Gusht22/ 2025

Përderisa institucionet funksionojnë si degë partie, ti nuk ndjehesh qytetar nëse nuk ke “leje partie”, ky është shantazhi më i madh që një regjim i veshur me rrobat e demokracisë mund t’i bëjë popullit të vet. Të ndjehesh i huaj në shtetin tënd, të ikish nga diktatura partiake dhe të shndërohesh në migrant të lirë në një vend të huaj, si një zog që detyrohet të largohet nga kafazi i tij, duke kërkuar lirinë në qiell të huaj.

Nga Dijana TOSKA

Sot, partia është më e rëndësishme se shteti, ligji dhe morali. Është ajo që (për)cakton fatet individuale dhe kolektive duke vendosur mure që ndajnë qytetarin nga shteti.

Kapja e institucioneve nga partitë nuk është më një problem, është një regjim i ri. Regjim i heshtur, por i gjithanshëm, që vepron përmes frikës dhe pasigurisë në çdo skutë të pushtetit. Demokracia nga një ideal për tu arritur, është reduktuar (lexo:degraduar)  në një marëdhënie punësimi e bindje partiake, ndërkohë që shteti ka kapitulluar, dhe qytetari nuk i beson më as ligjit, as drejtësisë së shtetit, vetëm “miqësisë politike”.

Partitë politike nuk garojnë për ide e as nuk po qeverisin, por po kontrollojnë e plaçkisin. Duke e trajtuar shtetin si pronë private, ato po shpërndajnë pasuri dhe pushtet për të forcuar veten, duke krijuar një shoqëri të pasigurt, të papërfaqësuar dhe të dëshpëruar. Në vend që të kemi një shtet të fortë e parti të lira, kemi parti të forta dhe një shtet të nëpërkëmbur nga aparati partiak.

Partitë politike nuk janë më instrumente të demokracisë, por garnitura të pushtetit absolut. Ato nuk përfaqësojnë më qytetarët, por interesat e klaneve të brendshme. Shteti është përvetësuar dhe kthyer në zyrë të rekrutimit të militantëve, ndërsa qytetari i thjeshtë është kthyer në lëmoshtar të jetës së vet.

Institucionet publike kanë humbur neutralitetin. Administrata është mbushur me militantë analfabetë që nuk i shërbejnë ligjit, por telefonatave politike. Universitetet i janë dorëzuar pazareve partiake. Mediat, në vend të të qenit roje të së vërtetës, janë bërë zëdhënëse të propagandës. Në çdo cep të shtetit, ndihesh i përgjuar jo nga ligji, por nga policia partiake.

Përderisa institucionet funksionojnë si degë partie, ti nuk ndjehesh qytetar nëse nuk ke “leje partie”, ky është shantazhi më i madh që një regjim i veshur me rrobat e demokracisë mund t’i bëjë popullit të vet. Të ndjehesh i huaj në shtetin tënd, të ikish nga diktatura partiake dhe të shndërohesh në migrant të lirë në një vend të huaj, si një zog që detyrohet të largohet nga kafazi i tij, duke kërkuar lirinë në qiell të huaj.

Sot, partitë janë e keqja më e madhe e demokracisë, një stuhi që ka shkatërruar themelet e shoqërisë dhe ka zhveshur qytetarin nga dinjiteti i tij, duke e lënë si një pemë të rrëzuar në erën e pushtetit.

Historia nuk mban mend të kemi pasur ndonjëherë politikanë kaq të paditur, injorantë e përçarës. Në vend që ta ushqenin demokracinë me ide, vision e zhvillim, ata e kriminalizuan dhe e shkatëruan, duke mbjellë farën e diktaturës dhe dëgjueshmërisë së gërditshme. Kjo periudhë do të mbetet si faqja më e zezë e historisë sonë të re, një kohë kur politika shqiptare pati rastin të ndërtonte civilizimin, ajo zgjodhi  të shkatëroj çdo vlerë identitare kombëtare e fetare.

Përderisa do të mungojë presioni qytetar dhe përgjegjësia politike, llogaridhënia dhe ndëshkimi, të kemi media të kontrolluara e që është më tragjike nënshtrimi i një brezi të ri që do duhej të ishte forca e ndryshimit, shteti do të vazhdojë të mbetet peng i partive politike. Ndërkohë që ndërhyrjet e ndërkombëtarëve janë tejet anemike, duke mos aktivizuar mekanizmat e tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe kulturës së shtetit ligjor,

Sot kemi nevojë për një frymë ringjalljeje, për një lëvizje progressive, që do të mund të sillte shpresën e humbur. Por kjo mund të arrihet vetëm nëse ndodhë një revolucion i ndërgjegjes qytetare, një zgjedhje e guximshme për të rikthyer dinjitetin dhe lirinë e qytetarit. Populli po e ptret zgjimin e kësaj energjie të fjetur.

Sot është koha që rinia si avangardë e ndryshimit dhe së ardhmes dhe gruaja, zemra e kombit, dy forca më të pathyeshme të shoqërisë, ta marrin në duar fatin tonë kolektiv  dhe ta shpiejnë drejtë lirisë së perendimit.

Sot vendi është në teh brisku, ose do të ringjallemi si popull i lirë, ose do të shuhemi si fluska nën hijen e partive, duke pranuar diktaturën pluraliste si fatin tonë kombëtar.

Shkup, 22 gusht 2025

Spread the love