Meqë flasim ende për Kadarenë, përpjekjet e palodhura të epigonëve dhe dishepujve të tij për ta “virtytizuar” dhe shndërruar në monument moral janë patetike – edhe ai vetë besoj bezdisej për vdekje, kur e adhuronin për merita që nuk i kishte dhe as donte t’i kishte, duke ia lënë mënjanë veprën, ose arsyen që i kish dhënë prominencë kulturore.
Nga Ardina VEHBIU
Mes kurioziteteve që joshin vizitorët dhe turistët në Salzburg të Austrisë, është edhe shtëpia e lindjes e Mozartit, në no. 9 Getreidegasse, ku sot gjendet një muze kushtuar fëmijërisë së kompozitorit dhe mund të këqyren vegla muzikore që ai ka luajtur në atë kohë, partitura dhe kuriozitete të tjera. Pesëqind mijë vetë e vizitojnë këtë shtëpi çdo vit. Me gjasë, shumica e këtyre janë njerëz të dashuruar pas muzikës së Mozartit, por do të ketë edhe nga ata që ia njohin emrin falë filmit “Amadeus” të Milos Forman-it, ose edhe tipa që vizitojnë gjithçka që vizitojnë të tjerët. Në çdo rast, atraksioni funksionon kryesisht për të apasionuarit pas Mozartit dhe muzikës klasike – sepse është zor të pranosh, me logjikë, që dikush të ketë filluar të dëgjojë muzikën e këtij gjeniu, pasi ia ka vizituar shtëpinë; do të ishte njëlloj sikur dikush të zhvillonte një interes të befasishëm për koncertin no. 21 për piano dhe orkestër (K. 467), pasi të kish shijuar një Mozartkugel.
Shtëpitë, kasollet dhe vendet e tjera ku kanë banuar njerëz të mëdhenj, studiot atelietë dhe laboratorët e tyre, dorëshkrimet, por edhe krevatet ku kanë fjetur dhe karriget ku janë ulur gjithnjë janë shfrytëzuar nga industria e turizmit por edhe institucionet e popullarizimit të kulturës; dhe mund të shihen tani si pjesë e aparatit shenjor që shoqëron veprën – ose koleksionin e veprave të një autori të shquar. E shoh këtë dukuri si një formë relativisht standard të religjionit civil, që ka trashëguar shumë nga adhurimi i shenjtorëve brenda kishës së Krishterë, por jo vetëm; teksa identiteti fizik dhe social i një njeriu të rëndësishëm i bashkëlidhet kontributit të tij, duke i dhënë një “fytyrë” konkrete.
Në Shqipëri e kemi përsosur tashmë këtë traditë pseudo-religjioze si pjesë të kombëtarizmit, në trajtimin që u bëjmë figurave me peshë në historinë e kombit, me ngjyra të forta edhe hagjiografike (fjala hagjiografi ka, si kuptim të parë, jetën e një shenjtori), edhe ikonografike. Më pak se gjysmë shekulli më parë, ishim mësuar të mbanim në shtëpi dhe në qendra pune dhe në shkolla e kudo gjetiu fotografitë ikona të Enver Hoxhës dhe bustet e tij prej gipsi. Sipas traditës së krishterë, sendet që i shoqërohen një shenjtori luajnë rol ndërmjetës midis besimtarëve dhe Zotit, duke shërbyer edhe si arsye për pelegrinazhe dhe rituale të tjera fetare. E shfetarizuar, kjo praktikë mistike erdhi tek ne kryesisht përmes modelit dhe ndikimit sovjetik dhe mbijeton edhe sot, duke u mishëruar në mënyrën si i kujtojmë figurat e rëndësishme historike dhe kulturore.
Tani që u përkujtua njëvjetori i vdekjes së Ismail Kadaresë, u fol sërish për aktivitete në shtëpitë e tij muzé, në Gjirokastër dhe në Tiranë; teksa u hap në Tiranë edhe një ekspozitë me portretet e tij në pikturë. Ideja këtu është që vende “të shenjta” si shtëpitë ku ka jetuar shkrimtari dhe portretet e tij të pikturuara (“ikonat”) të ndihmojnë për ta mbajtur gjallë veprën e Kadaresë dhe interesin për këtë vepër në kulturën shqip. Natyrisht, as shtëpitë e shkrimtarit as portretet e tij në pikturë nuk do luanin atë rol që pritet prej tyre, po të mos e njihte mirë publiku emrin e Kadaresë dhe peshën e tij kulturore, çfarë presupozon para së gjithash ekspozimin ndaj veprës së atij autori. Si në shembullin që solla me shtëpinë e Mozartit, më duket praktikisht e pamundur që dikush të shkojë dhe të blejë një libër të Kadaresë për ta lexuar, pasi t’ia ketë parë portretin ose vizituar shtëpinë e lindjes. Radha e prioriteteve, në raste të tilla, i reziston përmbysjes.
Interesimi ynë, si kulturë, për figura të tilla e ka ende të vështirë që të ruajë raporte të arsyeshme mes biografisë së njeriut dhe veprës së tij – sa kohë që vazhdojmë t’u atribuojmë njerëzve me kontribute të mëdha publike, si shkrimtarëve dhe artistëve, virtyte morale që ata as i kanë pasur as i kanë pretenduar t’i kenë. Kjo shpresë, se një njeri i madh duhet të jetë shembull për të tjerët (duke filluar nga fëmijët) më duket se buron edhe ajo nga nevoja që kemi për udhëheqës shpirtërorë, në një epokë kur pushtetarët dhe politikanët mjaftohen të numërojnë votat dhe të ruajnë kolltukun. Në një kuptim, jo thjesht metaforik, duam gjithnjë të kemi shenjtorë mes nesh, dhe fillojmë t’i zgjedhim ku të mundemi – nga të shquarit e kulturës dhe të artit, te celebritetet dhe influencers dhe mediokritetet televizive.
Thashë më lart që hagjiografia është, para së gjithash, një biografi e një shenjti a kleriku të rëndësishëm, por edhe një predikuesi, murgu a murgeshe dhe njeriu “të urtë”, ku nuk mungojnë përshkrimet e bëmave të subjektit, ndonjë mrekullie që ky mund të ketë bërë, rrëfimi i martirizimit të tij nëse ka ndodhur dhe, në përgjithësi, të virtyteve të tij. Nëse e pranojmë që religjioni civil i kombëtarizmit, i kombinuar me prurjet sovjetike të teknikave të kultit masiv, i ka bërë të vetat shumë tipare të religjionit klasik, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e biografisë së shenjtorëve për edukimin moral të besimtarëve nëpërmjet shembujve, atëherë mbase kemi mundësi ta kuptojmë më mirë pse shumë nga biografitë që kemi sot në qarkullim, për figura të shquara të kombit, kanë natyrë hagjiografike; aq sa çdo shmangie kritike, ose orvatje për të shqyrtuar në mënyrë kritike dritëhijet në jetën e dikujt, të shihet si njollosje a përbaltje e një figure që duhej ruajtur e pacenuar; madje edhe kur këto dritëhije ndihmojnë për të kuptuar veprën.
Aq është ngulitur kjo bindje, sa prej biografive tani pritet që ta paraqesin subjektin e tyre në mënyrë shumë pozitive, duke i transferuar “virtytet” e veprës dhe nëse ky rregull shkelet, atëherë kjo do të rezultojë në biografi që synojnë jo ta ndriçojnë figurën, por ta varrosin në baltë. Në thelb, biografitë hagjiografike synojnë të kontribuojnë në religjionin civil dhe në kultin e subjektit përkatës si shenjtor të këtij religjioni; roli i tyre në diskursin kulturor është i dorës së dytë.
Shumë i detyrohet qasja e sotme ndaj jetës personale të autorëve të shquar, në Shqipëri, edhe kultit të dëshmorëve gjatë periudhës së regjimit totalitar; do të na kujtohet si jetët e të vrarëve “për atdhé” përpunoheshin nga specialistët dhe ideologët, për t’iu dhënë madje rrasur pastaj në dorë lexuesit dhe veçanërisht moshave të vogla si tekste edukimi moral, ku dëshmori paraqitej në mënyrë të tillë, që heroizmi i vdekjes së tij njëfarësoj parathuhej dhe përmbahej në gjithçka ai kish bërë deri atëherë. Kish diçka nga Lei Feni dhe Leifenizmi, në këto përpjekje të qepura me penj të bardhë; ku ishte gjithnjë vështirë të ndaje virtytin nga talenti dhe etikën nga estetika. Ironikisht, i njëjti regjim që e përjashtoi ligjërisht fenë dhe institucionet fetare nga jeta publike, e organizoi krejt propagandën e vet sipas modelit fetar.
Meqë flasim ende për Kadarenë, përpjekjet e palodhura të epigonëve dhe dishepujve të tij për ta “virtytizuar” dhe shndërruar në monument moral janë patetike – edhe ai vetë besoj bezdisej për vdekje, kur e adhuronin për merita që nuk i kishte dhe as donte t’i kishte, duke ia lënë mënjanë veprën, ose arsyen që i kish dhënë prominencë kulturore. Edhe tani kultura shqip e ndien mungesën e një biografike kritike të Kadaresë, që t’u rrijë njëlloj larg adhurimeve pseudo-religjioze dhe çikërrimave personale – paçka se një ndërmarrje e tillë do të duhej të kish marrë përparësi absolute, në krahasim me shtëpitë muze, ekspozitat me portrete dhe performativë të tjerë të peshës së lehtë. Nëse duam që vepra e Kadaresë ta ruajë relevancën për brezat e rinj, ose të parët lexues jo-bashkëkohës të shkrimtarit, këtë nuk do ta realizojmë dot pa këtë lloj biografie, ku të analizohen marrëdhëniet mes historisë së jetës së tij dhe historisë së veprës së tij, në kontekstin e historisë së Shqipërisë të shekullit XX.
Biografit kritik të Kadaresë, kur të dalë më në fund në skenë, do t’i duhet të gjejë në mos një emërues të përbashkët, të paktën ngjashmëri familjare mes fazave të ndryshme të jetës së atij autori – nga fillimet në provincë, te vitet e universitetit në Tiranë, te vitet në Moskë dhe pastaj vitet 1960, koha e liberalizimit dhe pastaj e shtypjes brutale të liberalizmit, marrëdhëniet me PPSH, Sigurimin e Shtetit dhe Enver Hoxhën, kthesa djathtas larg proletkultizmit drejt mitografisë kombëtariste, njohja në Perëndim, fërkimet me regjimin, arratisja aq e vonuar në Francë dhe suksesi botëror po aq i vonuar, tortura e Nobelit të munguar, vitet e fundit në Shqipëri; nëse i përfytyrojmë këto faza si salla të ndryshme në muzeun abstrakt të Kadaresë, një vizitë atje për lexuesin e sotëm do të vlente sa njëqind shtëpi muze, portrete të pikturuara, buste dhe recitime poezish dhe lista përkthimesh të veprës në Marok dhe në Finlandë.
Këtij biografi kritik, nëse del ndonjëherë në skenë, do t’i duhet edhe t’i shkoqitë të gjitha këto duke ruajtur me kujdes distancën mes jetës së subjektit, si një vepër sui generis, dhe veprës letrare që është edhe ajo pjesë e asaj jete, me një biografi të vetën, që shtjellohet në brezat e lexuesve dhe të kritikës pavarësisht nga çfarë i ka ndodhur autorit si qytetar dhe person publik; dhe, më në fund, të faktorizojë edhe Kadarenë si zë i fuqishëm në jetën shqiptare, me ndërhyrjet që kanë përfituar ndjeshëm prej statusit të tij si shkrimtar i shumë-pëlqyer; me kusht që t’i rrijë larg tundimit për ta paraqitur aktivitetin në përgjithësi të “agjencisë” Kadare si diçka që ka pasur për synim të lartojë Shqipërinë, shqiptarinë dhe imazhin e shqiptarit në botë: sepse këto janë efekte të suksesit të asaj vepre, jo synime./ Peizazhe të fjalës
