Kushtrim Bekteshi është regjisor i dhjetra shfaqjeve teatrore të realizuara në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ka vënë në skenë autorë me një ndryshueshmëri të madhe dramaturgjike; që nga klasikët botërore, autorët bashkëkohorë, e deri tek autorët shqiptarë, në zhanret e dramës, komedisë dhe tragjikes. Përveç teatrit, kariera e tij artistike si regjisor dhe skenarist shtrihet edhe në fushën e filmit, dokumentarit dhe serialit televiziv. Filmi i tij me metrazh të gjatë, si edhe shfaqjet teatrore janë prezantuar në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare
Nga Merita ÇOÇOLI
Gjithmonë i sjellshëm, shumë i kujdesshëm, po aq edhe artist, regjisori Kushtrim Bekteshi numëron mbi 40 premiera në teatër dhe në film. Ka të njëjtën moshë sa edhe premierat. Duket sikur ka lindur regjisor. Ritmi i tij i punës ndoshta ka ndonjë sekret të padukshëm, që vetëm ai e di. “Nuk ka ndonjë sekret. Bëj punën që më plotëson dhe e bëj me pasion e përgjegjësi, gjej mënyrën të shprehem, kryesisht nëpërmjet teatrit, për të artikuluar botëkuptimet e mia, qëndrimet e mia, shqetësimet, analizën për të kaluarën dhe të tashmen dhe vizionion apo mendimet që kam për të ardhmen. Gëzohem që më është dhënë mundësia t’i flas publikut përmes artit teatror e filmik, dhe sigurisht do të vazhdoj të flas përmes tyre”, thotë Kushtrimi.

CV-ja e tij është shumë e gjatë për tu përshkruar në një reportazh të shkurtë, gjeografia krijuese po ashtu. Studimet universitare për regji teatri ai i kreu në Akademinë e Artit në Shkup, në klasën e prof. Sllobodan Unkovskit, regjisor i mirënjohur në Ballkan e më gjerë. Studimet pasuniversitare për skenar dhe film po në Shkup. Ka marrë titujt shkencorë doc. dhe Prof. Për 12 vjet ka dhënë mësim në Akademinë e dramës në Shkup, ndërsa tani ligjëron si prof. ordinar në Fakultetin e Artit në Tetovë.
Kushtrim Bekteshi është regjisor i dhjetra shfaqjeve teatrore të realizuara në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ka vënë në skenë autorë me një ndryshueshmëri të madhe dramaturgjike; që nga klasikët botërore, autorët bashkëkohorë, e deri tek autorët shqiptarë, në zhanret e dramës, komedisë dhe tragjikes. Përveç teatrit, kariera e tij artistike si regjisor dhe skenarist shtrihet edhe në fushën e filmit, dokumentarit dhe serialit televiziv. Filmi i tij me metrazh të gjatë, si edhe shfaqjet teatrore janë prezantuar në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, ku është shpërblyer me disa çmime për regjinë dhe për shfaqjen më të mirë, midis tyre ka marrë çmimin “Kult” për regjisor të vitit në Shqipëri, fitues i trefishtë i çmimit për regjinë më të mirë në Festivalin e Teatrove në Ferizaj (Kosovë) dhe dy herë fitues i çmimit që ndan Ministria e Kulturës në Kosovës për arritjet vjetore në fushën e teatrit etj. Ai është autor i dramës “ATA QË IKIN” e skenarist dhe regjisor i filmit artistik me metrazh të gjatë “PRANVERË E PAHARRUAR NË FSHATIN E HARRUAR.”

Kushtrimi tregon: “Përvojat janë të shumta, secila e veçantë në mënyrën e vet, por njëkohësisht edhe të ngjajshme për nga natyra e kënaqësisë krijuese. Nuk mund të veçoj ndonjërën nga përvojat e mira, sepse janë shumë. Ndoshta mund të përmend një përvojë të hidhur, atë të ndërprerjes së procesit të shfaqjes “Emira” pesë ditë para premieres, për arsye të grevës së përgjithshme të Sindikatës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ishte bashkëprodhim midis tre teatrove tona kombëtare Teatrit të Kosovës, Teatrit të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, me të cilën vitine kaluar, duhej të bëhej hapja e Festivalit mbarëkombëtar “Moisiu” në Prishtinë, i cili u anulua gjithashtu. Shfaqja u punua me një staf aktorësh e bashkëpunëtorësh të shkëlqyer nga të tre kryqetetet, ishte një proces pune me energji të jashtëzakonshme, si ekip në tërësi. Se si do të shkojë fati i kësaj shfaqjeje, ende nuk e di.”
Para disa muajsh Kushtrim Bekteshi inskenoi me trupën e Teatrit Shqiptar në Shkup, tragjedinë e Shekspirit “Rikardi III-të” një prej teksteve më të vështira dhe më të bukura njëkohësisht të dramaturgjisë botërore. Premira ishte e gjatë tre orë, ishte tronditëse, me shumë personazhe, me shumë skena, me shumë kostume, gjithshka ishte shumë në përmasa të së madhërishmes.
“Kam patur kënaqësinë t’i flas publikut përmes këtij teksti monumental të Shekspirit për realitetin e errët politik të së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes, që fatkeqësisht ngjajnë shumë me njëra-tjetrën, kur është në pyetje ambicja e errët për pushtet dhe autoritarizmi e totalitarizmi si formë e sundimit” thotë Kushtrimi. “Gëzohem që publiku dhe kritika teatrore e priti shumë mirë shfaqjen, kapi asociacionet dhe ndërlidhjet e tekstit me aktualitetin dhe realitetet historike. Ne në sallën e teatrit, ne ndamë një shqetësim të përbashkët për gati tre orë.”

Ngjarja më e re krijuese që e pret Kushtrim Bekteshin është fillimi serialit artistik televiziv me 20 episode “Trollanët” ku ai është skenaristi dhe regjisori. Ndërkohë ka përfunduar skenarin dhe po merret me detajizimin formimit të stafit.
“Së shpejti do të fillojmë me xhirimet e serialit të ri televiziv të zhanrit komedi, që e kam titulluar “Trollanët”, tregon Kushtrimi. “Ngjarja ndodh në fshatin fiktiv Trollan dhe zhvillohet brenda një marketi në fshat, ku kanë mbetur shumë pak banorë, sepse shumica janë shpërngulur në qytete dhe në shtetet perëndimore. Në atë market kuptojmë për jetën e banorëve të fshatit, hallet e tyre, raportet me njëri-tjetrin, ëndërrat e tyre të parealizuara, sigurisht shikuar nga prizmi i një komedie serioze. Seriali është i finansuar nga televizioni shtetëror RTM2 – programi në gjuhën shqipe, producent është Osman Ahmeti, skenograf Enes Deari dhe kostumografe Emira Ymeri. Pjesa tjetër e ekipi është në konsolidim e sipër, por tani është herët t’i zbulojmë të gjithë emrat e aktorëve pjesmarrës. Na pret shumë punë, por besoj se do ja dalim me sukses.”
Në Teatër, Kushtrimi planifikon të vazhdojë të sfidojë vehten me shfaqe të fuqishme, si edhe me filma artistikë. Ai ka një karakteristikë të dukshme, di të jetë i mrë, i edukuar dhe i përmbajtuar në çdo rrethanë që provokon jeta e stuhishme e artistit, është në paqe me veten e kolegët ashtu si dhe në jetën private. Eshtë këmbëngulës deri në fund për të vazhduar rrugën e vështirë të artit.
