Kjo nuk është vetëm një krizë humanitare, është një krizë e ndërgjegjes sonë globale…
Nga Gjergj ZEFI
Në një botë që krekoset për të drejtat e njeriut dhe vlerat humanitare, po ndodh një krim që kalon përtej çdo kufiri të moralit: fëmijët palestinezë në Gazë po vdesin nga uria, jo si pasojë e ndonjë katastrofe natyrore, por si pasojë e një strategjie të ftohtë dhe të përllogaritur politike.
Në qendër të kësaj tragjedie qëndron një vend që për vite me radhë ka kërkuar simpati për traumën historike të popullit të tij, por që sot po përpiqet të fshijë një popull tjetër nga faqja e dheut, me metoda që dikur i ka përjetuar vetë: urinë, izolimin dhe terrorin kolektiv.
Izraeli, i mbështetur nga një aleancë perëndimore që mban sytë mbyllur përpara krimeve, ka kaluar në një fazë të re të luftës ndaj Gazës: fazën e urisë.
Ky nuk është një spekulim, por një realitet që po dokumentohet nga mjekët, organizatat humanitare dhe gazetarë të pavarur që guxojnë të thonë të vërtetën.
Në dy javët e fundit, mbi 100 persona kanë vdekur nga uria, mbi 80 prej tyre janë fëmijë. Fëmijë që lindën në bombardime, jetuan mes rrënojave, dhe tani po shuhen ngadalë në krahët e nënave të tyre, pa asnjë thërrime buke, pa një pikë uji.
Ndërkohë, diplomacia botërore që e kthen çdo protestë kundër Izraelit në çështje “antisemitizmi”, po hesht.
Një heshtje që e bën këtë krim edhe më të rëndë. Sepse nuk kemi të bëjmë më me një konflikt politik apo me një përplasje territoriale. Kemi të bëjmë me një metodë sistematike eliminimi, një plan për ta shfarosur një popull të tërë duke e lënë pa ujë, pa ilaçe, pa ushqim dhe pa zë. Vetë fakti që ndihmat humanitare bombardohen, që ambulancat goditen, që njerëzit vriten ndërsa presin për një thes miell, është dëshmi e qartë e një strategjie çnjerëzore që e përdor urinë si armë lufte.
Edhe sikur të mos kishim asnjë pamje nga Gaza, mjafton të dëgjosh mjekët që u bëjnë autopsi fëmijëve të vdekur nga uria: trup të tejdobësuar, mushkëri të thata, dhe sy që nuk i mbyllen nga frika. Por ka pamje. Janë publikuar dhe qarkullojnë, edhe pse censurohen në shumicën e mediave perëndimore. Dhe askush nuk lëviz. Asnjë lider nuk ngrihet. Asnjë parlament nuk kërkon sanksione. Kjo nuk është vetëm një krizë humanitare, është një krizë e ndërgjegjes sonë globale.
Nuk mjafton të thuash “jemi për paqe” apo “të respektohet e drejta ndërkombëtare”. Kjo është një tragjedi që kërkon qëndrim të prerë. Heshtja është turpi ynë. Heshtja është arma e tyre. Dhe ndërsa ata e përdorin urinë për të pastruar një popull, bota po përdor heshtjen për të larë duart nga përgjegjësia./Pamfleti
