• E martë, 14 Prill, 2026

U inaugurua shtatorja monumentale e heroit të Kombit Afrim Zhitia

EA
Shtator19/ 2025

Në fshatin Llugë të Podujevës, sot u inaugurua shtatorja monumentale e heroit të Kombit Afrim Zhitia, duke përkujtuar sakrificën dhe rolin e tij historik në luftën për liri të Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni të inaugurimit ishte edhe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe mënyrave institucionale për ruajtjen e historisë së dëshmorëve të lirisë. Ai në fjalimin e tij, tha se shtatorja e Afrim Zhitisë është një vepër publike arti që monumentalizon figurën e tij historike, por se nevoja për studime të thelluara dhe botime shkencore për historinë e heronjve tanë mbetet e madhe.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e cilësoi këtë ditë si një ditë të veçantë për komunën dhe përkujtoi Afrim Zhitinë si më shumë se një emër, por si një ideal dhe shembull të qëndresës shqiptare.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka përkujtuar Afrim Zhitisë si kryeredaktorin e lajmëtarit të lirisë dhe organizatorin që i dha frymë Lëvizjes Kombëtare.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi rëndësinë e figurës së Afrim Zhitisë dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët përfaqësuan brezin e rezistencës ndaj regjimeve jugosllave të Titos dhe Millosheviqit.Në emër të familjes, Sadete Zhitia përshkroi një rrugëtim të gjatë për rikthimin e Afrimit në vendlindje, duke e cilësuar këtë si një fitore simbolike dhe historike për Kosovën.

Ndërsa, ideatori i obeliskut, Ismet Sylejamni ka thënë se historia e biografisë së jetës dhe veprës heroit kombit, Afrim Zhitia duhet të dihet nga të gjithë./KosovaPress

Spread the love