• E enjte, 23 Prill, 2026

Serbia mban rekordin për blerjet e armëve në rajon, shpenzon pesë herë më se Shqipëria

EA
Shtator29/ 2025

Gjatë pesë viteve të fundit, Serbia ka pasur shpenzimet më të mëdha ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke blerë armë si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja, njofton Radio Evropa e Lirë (RFE), duke cituar të dhëna nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Serbia ndan 2.6 përqind të PBB-së për ushtrinë, Maqedonia e Veriut 2.1 përqind, e ndjekur nga Shqipëria (2 përqind), Mali i Zi (1.8 përqind), Kosova (1.5 përqind) dhe Bosnja dhe Hercegovina me 0.7 përqind, sipas SIPRI-t, transmeton Nacional.hr.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova dhe BiH po përpiqen për anëtarësim, dhe Serbia, megjithëse ushtarakisht neutrale, është pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Sipas RFE-së, Serbia balancon midis Rusisë, Kinës dhe Perëndimit, ndërsa fqinjët e saj mbështeten kryesisht në bashkëpunimin me shtetet anëtare të NATO-s.


Vetëm në vitin 2024, Serbia ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë, pothuajse pesë herë më shumë se Shqipëria, anëtare e NATO-s.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka refuzuar vazhdimisht t’i japë informacion RFE-së mbi vlerën e blerjeve të armëve nga Rusia dhe Kina, duke i etiketuar të dhënat si “sekret”.


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shpesh përmend “kërcënime nga fqinjësia” si justifikim për armatosjen, raporton RFE, duke kujtuar deklaratën e tij të fillimit të shtatorit: “Ne nuk do të prekim askënd, ne vetëm do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë”.

Më 20 shtator, në Beograd u mbajt një paradë ushtarake e quajtur “Fuqia e Unitetit”, në të cilën morën pjesë rreth 10,000 ushtarë.

Në këtë ngjarje, Vuçiç deklaroi se parada ushtarake përfaqëson krenarinë e Serbisë dhe se “Serbia dëshiron paqe, por në të njëjtën kohë di si ta ruajë territorin dhe të ardhmen e saj”.

Spread the love