• E shtunë, 7 Mars, 2026

SHKUPI – LABORATORI I SHTETFORMIMIT DHE EPIQENDËR STRATEGJIKE E LIRISË QË NUK U KURORËZUA

EA
Nëntor27/ 2025

Historia e Shkupit në vitin 1912 dhe pas Luftës Ballkanike tregon qartë se kontrolli mbi qytetin është çelës për njohjen ndërkombëtare të të drejtave shqiptare, se vakumi institucional favorizon narrative të huaja që relativizojnë autoktoninë dhe se diplomacia multilaterale përcakton fatin politik të shqiptarëve. Këto mësime kanë rëndësi të jashtëzakonshme edhe sot: mbrojtja e Shkupit nuk është vetëm çështje historike; ajo është çështje diplomatike, strategjike dhe juridike, që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal, të drejtën për vetëpërcaktim dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Nga Prof.dr Skender ASANI


Në prag të 28 Nëntorit, dita që shënon pavarsinë kombëtare, Shkupi na flet jo vetëm nga e kaluara, por edhe nga nevoja për të kuptuar strategjitë dhe përgjegjësitë që burojnë nga historiku i tij. Shkupi nuk është thjesht një qytet; ai është epiqendra e një kontinuiteti iliro-arbëror-shqiptar që ka sfiduar shekuj pushtimesh, përpjekjesh për asimilim dhe projekte të huaja për të fshirë zërin shqiptar nga një hapësirë strategjike që dikton fatet e Ballkanit. Çdo harresë e tij nuk është një mungesë e thjeshtë kulturore është kërcënim për të ardhmen diplomatike, për legjitimitetin kombëtar dhe për stabilitetin rajonal.

Qyteti i Shkupit, themeluar nga dardanët e shekullit IV para erës sonë, u bë nyjë kyçe e komunikimit dhe kontrollit strategjik. Rrugët antike që e lidhnin me qytete të tjera të Ballkanit  Via Egnatia, Via Naisus, Via Dezeta dhe Via Sertika nuk ishin thjesht arterie tregëtare; ato ishin arterie pushteti dhe diplomacie, shenja të një graviteti strategjik që përcaktonte dominimin politik dhe ushtarak. Studiues ndërkombëtarë, si Noel Malcolm dhe John Fine, e theksojnë se kush zotëronte Shkupin, zotëronte frymëmarrjen e Ballkanit Verior. Ky gravitet nuk është historiografi thjesht; ai është paralajmërim për çdo politikan dhe diplomat shqiptar: çdo nënvlerësim i Shkupit mund të kthehet në katastrofë kombëtare dhe rajonale.

Në mesjetë, qyteti përjetoi një përforcim të rolit të tij përmes figurave si Justiniani, i lindur dardan, i cili e vendosi Shkupin epiqendër të reformave bizantine dhe qendër të Ilirisë Veriore. Rrënojat, bazilikat dhe dokumentet arkivore dëshmojnë se qyteti ruajti autonominë kulturore dhe funksionoi si epiqendër e identitetit shqiptar shumë para përdorimit të konceptit modern etnik. Historianë si Peter Soustal e konsiderojnë këtë fakt si provë të vazhdimësisë së pranisë shqiptare në hapësirat strategjike të Ballkanit. Çdo injorim i Shkupit sot nuk është vetëm harresë historike, por kërcënim diplomatik dhe politik.

Në shekullin XVII, Shkupi ruajti gjuhën, traditat dhe shpirtin shqiptar. Andrea dhe Pjetër Bogdani, përmes veprave të tyre, mbrojtjes së famullive dhe kundërshtimeve ndaj autoriteteve fetare sllave, treguan se qyteti ishte epiqendër e rezistencës kulturore dhe politike. Relacioni i Pjetër Bogdanit i vitit 1681 dhe përplasjet me patrikun e Pejës janë dëshmi të qarta të autoktonisë shqiptare dhe të vazhdimësisë së saj. Historianë si Robert Elsie dhe Stavro Skendi e analizojnë këtë si prova të pandërprera të identitetit shqiptar. Çdo pasivitet ndaj Shkupit sot është humbje strategjike dhe paralajmërim i qartë se identiteti kombëtar duhet mbrojtur aktivisht.

Verën e vitit 1912, toka shqiptare u ngriu nën hijen e betejave, por asnjë qytet nuk kishte rëndësi më strategjike e simbolike sesa Shkupi. Më 12 gusht, njësitë kryengritëse nën udhëheqësinë e Hasan Prishtinës dhe Isa Boletini marshuan drejt kryeqytetit të Vilajetit të Kosovës. Në mëngjesin e 12 gushtit, portat e qytetit u hapën jo për pushtues, por për çlirimtarë. Popullsia, e lodhur nga sundimi pesëshekullor osman, i priti me duar në flakë të shpresës. Kryengritësit liruan të burgosurit, hoqën garnizonin osman dhe administruan qytetin me rend, disiplinë dhe respekt për qytetarët.

Në këtë javë të shkurtër, Shkupi funksionoi si qytet i çliruar, duke përgatitur terrenin për autonomi dhe liri. U hartua një platformë kërkesash që përfshinte përdorimin e gjuhës shqipe, liri fetare dhe shkollore, reforma institucionale themele për kërkesa më të gjera. Gazeta “Liri e Shqipërisë” dokumentoi këtë organizim, duke mahnitur diplomacinë ndërkombëtare. Studiues si G. G. Argyll dhe Henry Baer vunë re aftësinë organizative dhe potencialin shtetëror shqiptar.

Megjithatë, mungesa e një administrate autonome dhe besimi në negociatat me Portën e Lartë shndërroi këtë triumf në një humbje strategjike. Vakumi institucional u shfrytëzua nga fqinjët ballkanikë, ndërsa Vlora u bë vendi ku do të shpallej pavarësia më 28 Nëntor. Shkupi mbeti laboratori vizionar i shtetformimit dhe epiqendër strategjike e lirisë që nuk u kurorëzua. Çlirimi i qytetit ishte dëshmi e aftësisë shqiptare për vetëqeverisje dhe mobilizim, por mungesa e veprimit koherent diplomatik dhe institucional e shndërroi fitore në boshllëk, duke lënë hapësirë për narrative të huaja që tentuan të fshijnë autoktoninë dhe të drejtat historike.

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, forcat serbe, malazeze dhe bullgare u futën në territoret shqiptare, duke bllokuar çdo mundësi që Shkupi të bëhej qendra e shpalljes së pavarësisë. Kuvendi gjithëshqiptar i parashikuar në qytet nuk u realizua. Historianë si Noel Malcolm dhe Mark Mazower vënë në dukje se çdo fitore ushtarake pa diplomaci aktive mund të shkatërrohet, duke treguar rëndësinë e njohjes ndërkombëtare dhe veprimit strategjik.

Historia e Shkupit në vitin 1912 dhe pas Luftës Ballkanike tregon qartë se kontrolli mbi qytetin është çelës për njohjen ndërkombëtare të të drejtave shqiptare, se vakumi institucional favorizon narrative të huaja që relativizojnë autoktoninë dhe se diplomacia multilaterale përcakton fatin politik të shqiptarëve. Këto mësime kanë rëndësi të jashtëzakonshme edhe sot: mbrojtja e Shkupit nuk është vetëm çështje historike; ajo është çështje diplomatike, strategjike dhe juridike, që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal, të drejtën për vetëpërcaktim dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Dhe sot, më shumë se kurrë, Shkupi duhet të shihet si bosht i identitetit shqiptar, platformë e rezistencës dhe udhërrëfyes për brezat e ardhshëm. Të mos e mbrosh qytetin historik është të cenosh stabilitetin, të minosh besueshmërinë ndërkombëtare dhe të shmangësh përgjegjësinë morale dhe historike. Historia e vitit 1912 dhe e dekadave më pas tregon se çdo fitore pa institucione, diplomaci dhe njohje ndërkombëtare është e paqëndrueshme.

Shkupi nuk është periferia; ai është qendra, kërthiza dhe boshti i të ardhmes shqiptare. Kujtesa për çlirimin, për rezistencën, për platformat politike dhe për aspiratat e qytetarëve të tij është amanet për të gjithë shqiptarët. Ky 28 Nëntor nuk është thjesht festë, por kujtesë e gjallë: liria dhe identiteti nuk falen, ato fitohen, mbrohen dhe legjitimohet. Çdo politikë, çdo diplomaci dhe çdo studim akademik që synon të ruajë të drejtën historike dhe legjitimitetin kombëtar duhet ta vendosë Shkupin në qendër. Ky është testament i padiskutueshëm për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare në Ballkan.

Shkup, 28 nëntor 2025

Spread the love