• E martë, 10 Mars, 2026

Altin Dumani u përgjigjet pyetjeve të opozitës lidhur me rastin e Belinda Balukut

EA
Tetor28/ 2025

Kreu SPAK, Altin Dumani është pyetur në Kuvend lidhur me kallëzimet penale të depozituara ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Deputetët e opozitës pyetën nëse SPAK po heton disa dosje që lidhen me Ballukun, përfshirë çështjet mbi shitblerjen e energjisë, projektet e rrugëve, parqet fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, si edhe termocentralet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.

Në përgjigjen e tij, Dumani deklaroi se për sa kohë çështjet ndodhen në fazën e hetimit paraprak, nuk mund të jepen detaje apo informacione për ecurinë e tyre.

“Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak, nuk mund të jap asnjë lloj të dhëne dhe asnjë lloj informacioni”, tha ai.

Sa i përket afateve për hetimin e çështjeve, Dumani theksoi se hetimet nuk janë zvarritur, por duhet marrë në konsideratë rëndësia, specifika e çështjes, ngarkesa e prokurorëve, e të tjera.

Pyetje: Për zonjën Balluku ka disa kallëzime penale në SPAK që nga shitblerja e energjisë, rrugët, parqet fotovoltaike, tuneli i Llogarasë apo dhe termocentralet “Tigri 1” dhe Tigri 3”. A janë nën hetim këto çështje? Sa kohë duhet për t’i hetuar kur bëhet fjalë për miliona euro të shpërdoruara?

Dumani: Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak, nuk mund të jap asnjë lloj të dhëne dhe asnjë lloj informacioni.

Koha është e rëndësishme dhe në hetimin e çështjeve penale, por ajo që prokurorët e posaçëm kanë parasysh në hetimet e procedimeve penale është respektimi i kodeve të procedurës penale që parashikojnë afatet e hetimeve.

Çdo prokuror duhet të respektojë ato afate, nuk është taksative. Edhe unë të isha në vendit tuaj do më dukej kohë  gjatë, por duhet marrë në konsideratë rëndësia e çështjes, specifika e çështjes, ngarkesa e prokurorëve, e të tjera. Sa kohë janë brenda afateve procedurale, nuk mund të them që janë zvarritur.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani është pyetur në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, lidhur me hetimet për aferën e dyshuar të Aeroportit të Vlorës dhe rolin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në këtë proces.

Në pyetjen e tij, Këlliçi parashtroi se projekti i Aeroportit të Vlorës është kryer në një “garë fiktive”, ku sipas tij, kompani të caktuara janë përdorur vetëm për të plotësuar kriteret formale të tenderit dhe më pas janë tërhequr me miratimin e vetë qeverisë.

“Çfarë duhet të ndodhë më shumë që të arrestohet Belinda Balluku, e cila rezulton se ka firmosur miratimin për tërheqjen e kompanisë fiktive turke, ndërkohë që ajo ishte e vetmja që plotësonte kriteret e garës koncensionare dhe kompania në një investim që sjell miliona euro fitim në një vit, ka shitur gati gjysmën e aksioneve, 40%, vetëm për 4450 euro”, pyeti Këlliçi.

Në përgjigje, kreu i SPAK konfirmoi se hetimet për çështjen e Aeroportit të Vlorës janë në zhvillim, por theksoi se nuk mund të jepen detaje.

“Ju përmendët Aeroportin e Vlorës dhe çështje të tjera, unë nuk mund të jap shpjegime dhe informacione për çështje të cilat janë ë fazën e hetimit paraprak,” deklaroi Dumani.

Pyetja e Belind Këlliçit: Gjatë këtyre ditëve ka dalë në sipërfaqe skandali i Aeroporti i Vlorës, ku të dhënat tregojnë se kemi të bëjmë me një garë fiktive dhe kompani që janë përdorur vetëm për të plotësuar dhe më pas janë tërhequr me miratimin po të vetë qeverisë. Ju keni deklaruar se keni një hetim për Aeroportin e Vlorës.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë që të arrestohet Belinda Balluku, e cila rezulton se ka firmosur miratimin për tërheqjen e kompanisë fiktive turke, ndërkohë që ajo ishte e vetmja që plotësonte kriteret e garës koncensionare dhe kompania në një investim që sjell miliona euro fitim në një vit, ka shitur gati gjysmën e aksioneve, 40%, vetëm për 4450 euro.

Skema 5D e implikuar nga Erion Veliaj duket që nuk ka qenë e izoluar vetëm në Bashkinë e Tiranës, e njëjta skemë, po kësaj here 5B, rezulton të jetë e implikuar edhe në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që drejtohet nga Belinda Balluku.

Spread the love