• E shtunë, 7 Mars, 2026

Ambasadorët e huaj marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës

EA
Korrik25/ 2025

Kanë arritur në Kuvendin e Kosovës ambasadorët e SHBA-së, Anglisë, Italisë, Francës, Gjermanisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, si dhe Shefi i BE-së.

Në seancën e 52-të konstituive, ata do të marrin pjesë e cila mund të jetë vendimtare për shkak të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, që do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
https://www.youtube.com/watch?v=iHDJtBmpwYk&t=1s


E propozuara për kryetare të Kuvendit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se ka mbetur vetëm deri nesër (e shtunë) për të konstituuar Kuvendin ose për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Na kanë mbetur edhe pak orë. Na ka mbetur sot, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe më vonë, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe nesër. Në rrethana të tilla duhet reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka thënë se është e natyrshme që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, marrë parasysh situatën aktuale, ndonëse as Partia Demokratike e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas saj, nuk kanë kërkuar masë të përkohshme kur i kanë dërguar lëndët e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Haxhiu paralajmëroi se në mungesë të reflektimit nga subjektet politike, zgjidhja e vetme do të mbeten zgjedhjet.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i habitur me mënyrën se si po e menaxhon seancën kryesuesi Avni Dehari.

Teksa po hynte në Kuvend për të marrë pjesë në tentimin e 52-të për konstituim, Haradinaj tha se nuk e di se nga po i buron ajo nervozë, Deharit.

“Ne kemi ardhur gjithmonë me shpresë se do të kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng sigutatën, nga zoti Kurti. I kemi ofruar edhe ndihmë për votat tona, pa asnjë kalkulim politik, për një kandidat përbashkues. E shihni se është një situatë shumë e rëndë me zotin Dehari, po e menaxhon shumë keq seancën. Është një lloj nervoze. Nuk e di se nga i buron ajo nervozë, ajo frikë se po ndodh ndonjë tragjedi nëse dikush e thotë ndonjë fjalë. Është një sjellje e habitshme, një panik i tillë, nuk e kuptoj pse”, tha Haradinaj, teksa shtoi se “jemi të shqetësuar me këtë gjendje”.

Më tutje, ai tha se koha që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve, deri më 8 gusht, është e mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje.

“Është me rëndësi që koha është e shkurtë, pra masa e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë se pas dy jave do të ketë zhvillime të reja, ose vendim të ri të gjykatës, për një masë finale. Kjo ndoshta është e mira e kësaj. Siç duhet, kemi afat edhe nesër, andaj mendoj se ky dyjavëshi nuk është i keq”.

“Është e mundshme se gjykata e ka paraparë se kaq kohë nevojitet për një zhvillim të ri, që nuk do të ishte pak dy javë”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se nuk duhet të favorizohen zgjedhjet e reja, por tha se megjithatë, partia e tij është e gatshme.

Spread the love