• E shtunë, 17 Janar, 2026

Një histori nga mund të edukohemi të gjithë

EA
Gusht28/ 2025

Shpesh u rikthehemi shfaqjeve apo filmave që kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë. Ka ndodhur edhe tek unë. Një prej tyre është filmi “Vallëzim me Ujqërit”, me regjisor aktorin e njohur amerikan Kevin Costner, i cili fitoi Çmimin Oscar si regjisori më i mirë. Filmi gjithashtu mori 7 Çmime Oscar dhe titullin “Filmi më i mirë”, ndërsa autori i novelës “Vallëzim me Ujqërit” Michael Blake fitoi Oscarin për skenarin më të mirë.

Nga Mimoza DAJÇI

Shpesh u rikthehemi shfaqjeve apo filmave që kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë. Ka ndodhur edhe tek unë. Një prej tyre është filmi “Vallëzim me Ujqërit”, me regjisor aktorin e njohur amerikan Kevin Costner, i cili fitoi Çmimin Oscar si regjisori më i mirë. Filmi gjithashtu mori 7 Çmime Oscar dhe titullin “Filmi më i mirë”, ndërsa autori i novelës “Vallëzim me Ujqërit” Michael Blake fitoi Oscarin për skenarin më të mirë.

“Vallëzim me Ujqërit” është një film epik amerikan i vitit 1990 me protagonist, producent dhe regjisor Kevin Costner. Është një adaptim filmik i romanit të vitit 1988 “Vallëzimi me Ujqërit” nga Michael Blake, që tregon historinë e togerit të ushtrisë së Unionit, John J. Dunbar (Costner), i cili udhëtoi drejt kufirit amerikan për të gjetur një postë ushtarake, atje takoi edhe një grup lakotash (amerikanë nativë). Si erdhi ky film dhe si u arritën kaq shumë Çmime Oscar, për një shkrimtar që më herët i refuzohej botimi e shihej i nënvlerësuar nga media dhe Hollivudi. Kevin Costner e kishte mik të hershëm Michael Blake, kur ai po kalonte një krizë të thellë financiare, e ndihmoi dhe mbështeti. Qysh fëmijë Michael-it i pëlqente të lexonte, të shkruante. Me fantazinë e një fëmije hidhte në letrën e bardhë skica, tregime që pëlqeheshin nga moshatarët e tij. Këto e frymëzonin për të ecur më tej në krijimtarinë tij letrare, me shpresë se një ditë do të ishte ai që do ta vlerësonin të gjithë.

Nuk ndodhi kështu. Për disa syresh cilësohej një tregimtar apo shkrimtar i nivelit jo të kënaqshëm, të cilët nuk ia botonin artikujt. Përpiqej të gjente ndonjë punë tjetër për mbijetesë, por e pamundur. Nëse një mik, një mike, një i afërm nuk të përkrah, edhe për vetë amerikanët nuk është e lehtë gjetja e një pune. Kudo të jetosh, për të rimarrë veten, për një jetë më cilësore, patjetër duhet që dikush të të japë dorën e të sistemojë diku për të punuar. Këtu gjen vend shprehja “Më mirë një mik, se një çiflig”. Michael Blake ishte i papunë, por miku i mirë në ditë të vështira duket dhe Kevin për ta ndihmuar, i tha shkruaj diçka me vlerë, por gjithmonë përgjigjet që Michael merrte ishin negative.

Artikujt nuk po i botoheshin, tekstet e tij nuk ishin të pranueshme e të pëlqyeshme për Hollivudin. Nga tërë ajo situatë e errët që e kishte mbërthyer, me gjithë qenien e tij i drejtohet Kevinit, duke i thënë: “E urrej Hollivudin. Ju urrej të gjithëve”. Kevin për ta qetësuar i tha se ndoshta duhej të përpiqej më shumë për të arritur aty ku duhej… Pas një debati pa krye, Costner mendoi se miqësia e tyre kishte përfunduar. Një javë më pas, Michael duke humbur çdo shpresë dhe si i pastrehë, pyeti Kevin nëse mund të flinte për një kohë në banesën e tij. Kevin kishte shumë miq e shokë, por me Michael kishte miqësi të hershme, kishin kaluar shumë kohë bashkë që në rininë e tyre të hershme. Si një mik i mirë duke parë situatën e vështirë që po përjetonte Michael, e pranoi në shtëpinë e tij, ku banonte së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre të vegjël. Michael qëndroi aty për disa muaj, mbrëmjeve vetëm shkruante, por Kevin nuk i afrohej për t’i lexuar. Michael nuk lodhej, shkruante e shkruante pa pushim çdo natë dhe shpesh i kërkonte Costnerit të lexonte tregimet e tij, por ai ende i mbante mëri mikut të tij dhe nuk pranonte t’ia lexonte. Kaloi kohë, ditë pas dite dhe Michael me besimin se tregimet e tij do të pëlqeheshin, filloi t’ia lexonte vajzës trevjeçare të Costner-it.

Mirëpo kjo gjë nuk i pëlqeu aspak gruas së tij dhe kërkoi që Michael të largohej menjëherë nga shtëpia e tyre. Pas shumë përpjekjesh, Michael gjeti punë si pjatalarës në një restorant kinez në Arizona dhe shpesh i telefononte Costner, ku veç të tjerave, e pyeste nëse e kishte lexuar dorëshkrimin e tij që i kishte lënë mbi tryezë ditën kur u largua prej tyre. Costner edhe pse vazhdonte të ishte akoma i zemëruar me të, përsëri nuk mund ta linte që të vuante në skamje mikun e tij, por vazhdonte ta ndihmonte duke i dërguar ushqime, batanije etj., por novelës së Michael nuk i hidhte as sytë e jo më ta lexonte. Mbrëmjen e një dimri të ftohtë, ulur rreth vatrës me familjen, vajza e vogël i tregoi të atit pjesë nga një histori shkruar nga Michael Blake, të cilit i tërhoqi vëmendjen. U ngrit menjëherë shkoi në dhomën ku kishte qëndruar Michael.

Dorëshkrimi ishte po aty, ashtu siç ai e kishte lënë, mbi atë tavolinë ku Michael ngryste e gdhinte netët duke shkruar. E lexoi me një frymë. Vepra me autor Michael Blake titullohej “Vallëzim me Ujqërit” (Dances with Wolves). Kevin Kostner si producent dhe regjisor e përshtati novelën e mikut të tij Michael Blake “Dances with the Wolves” në një film legjendë, fitues i 7-të Çmimeve Oskar. Si më parë të dy mbetën shokë të mirë deri kur Michael Blake u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare, në vitin 2015 nga një sëmundje e rëndë. Kjo histori sa interesante, aq edhe mbresëlënëse preku zemrat e gazetarëve dhe shumë qytetarëve amerikanë, por edhe shqiptarëve. Shpresoj që edhe ju lexues të dashur, nëse keni ndonjë mik/mike të rrethit tuaj shoqëror që ka nevojë për ndihmë, mos hezitoni, vini dorën në zemër, jepini dorën kur ndodhet në vështirësi ekonomike, shëndetësore apo familjare. Veçanërisht në dhe të huaj, në emigracion, ku standardet e jetesës sado përbëjnë ndryshim nga ku keni/kemi jetuar më parë./Gazeta Panorama 

Spread the love