Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, është shprehur i shqetësuar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve.
Luftiu ka thënë se gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë pasivizuar 200 adresa në Preshevë e Bujanoc, raporton Zeri.info.
Sipas tij, ky është një spastrim i pastër etnik që po u bëhet shqiptarëve.
“Më datë 04.08.2025 i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa. Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta (jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar). Sidoqoftë, në total, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar 200 adresa. Ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik. U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”, thuhet në reagimin e tij.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani po ngre alarm që ky trend ka filluar edhe në komunën e Preshevës, madje duke u pasivizuar edhe persona që jetojnë dhe punojnë atje. E para e Preshevës, Ardita Sinani thotë se cak njëherë ishte malësia, por tash po pasivizohen edhe banorët e qytetit.
Madje, Sinani thotë se po i largohen adresat edhe atyre që jetojnë në Preshevë. Ajo vlerëson se ndërkombëtarët po e ledhatojnë shumë shtetin serb.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi thotë se ky trend ka filluar në Preshevë pasi mori përmasa të mëdha në Bujanoc e Medvegjë. Rexhepi thotë se këtë çështje ka vazhduar të raportoj te faktori ndërkombëtar.
Avokati nga Beogradi, Lluka Jovanoviq, i cili përfaqëson disa qytetarë të prekur nga pasivizimi i adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka paralajmëruar për një praktikë shumëvjeçare që ai e përshkruan si diskriminim sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi. Me këtë rast, ai i është drejtuar edhe Parlamentit Evropian.
Në një intervistë për RTK-në, avokati Jovanoviq thekson se praktika e pasivizimit të adresave i lë mijëra njerëz pa të drejta themelore, siç janë letërnjoftimi, libreza e shëndetit, patenta e shoferit dhe qasja në shërbime publike, duke theksuar se bëhet fjalë për një masë administrative që ndikon negativisht në strukturat lokale.
“Thelbi është se njerëzve po u fshihet vendbanimi pa asnjë njoftim, pa mundësi të deklarohen. U mohohen dokumentet personale, dhe në thelb fshihen nga sistemi“, tha Jovanoviq. „Qëllimi i këtij inxhinieringu administrativ është, ndër të tjera, manipulimi i listave zgjedhore dhe riorganizimi i strukturave të pushtetit lokal në ato komuna.“
Avokati Lluka Jovanoviq përfaqëson disa nga qytetarët e prekur para Gjykatës Administrative në Beograd. Në lidhje me këtë, ai ka njoftuar edhe Parlamentin Evropian për, siç e quan ai, diskriminim sistematik. Në një letër të fundit drejtuar eurodeputetit Tonino Piculla, Jovanoviq shkruan se shumë qytetarë kanë humbur mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe regjistrime, pa të drejtë ankese ose njoftim paraprak.
Sipas tij, pasivizimi i adresave është intensifikuar sidomos pas vitit 2016, dhe pasojat janë bërë të dukshme edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë, ku shumë qytetarë nuk mundën të marrin pjesë për shkak të mungesës së adresës së regjistruar. „Ndoshta kjo ishte shenja e parë e madhe se bëhet fjalë për një problem serioz që ende nuk është zgjidhur“, shton ai.
“Për ta kuptuar sa i madh është ky problem, duhet të mendojmë se sa e vështirë është për njerëzit që nuk mund të nxjerrin dokumentet e nevojshme për jetën e përditshme. Përgjegjësia kalon nga një institucion te tjetri, dhe askush nuk ofron zgjidhje“, thekson Jovanoviq.
Përveç fshirjes administrative, qytetarët e prekur përballen edhe me kufizime të lëvizjes. Jovanoviq përmend një problem shtesë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai tha se Kosova njeh vetëm letërnjoftimet serbe, ndërsa nuk i pranon pasaportat serbe, të cilat i posedojnë disa nga këta qytetarë. “Këta njerëz mbeten të bllokuar midis dy realiteteve ligjore dhe politike“, thotë ai.
Ai vlerëson se nga pasivizimi i adresave janë prekur mijëra njerëz. “Disa të dhëna, si ato të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, flasin për rreth 4.000 raste. Numri i saktë nuk dihet, pasi nuk ekziston një regjistër publik i qasshëm“, thekson Jovanoviq.
“Nëse do të zbatoheshin rregullat ekzistuese të Republikës së Serbisë për regjistrimin e vendbanimit dhe qëndrimit, kjo situatë as që do të ekzistonte“, përfundon ai.
Organizatat joqeveritare dhe partitë politike shqiptare nga jugu i Serbisë bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të kësaj “praktike diskriminuese”, mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe përgjigje adekuate nga autoritetet serbe ndaj kërkesave të komunitetit./GazetaFAKTI
