Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos kenë tarifë doganore kur hyjnë në tregun e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky vendim shpërfaq marrëdhëniet e mira me SHBA-në.
“Tjetër vendim i rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore për SHBA-në. Kështu nga tani e tutje të gjitha produktet e tyre do të kenë tarif zero % kur të hyjnë në territorin tonë”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nga sot ka hyrë në fuqi vendimi për heqjen e plotë të tarifave doganore për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton RTK.
Në një postim në platformën X, Osmani theksoi se Kosova është vendi i parë që ka propozuar eliminimin e të gjitha barrierave ndaj aleatit më strategjik, duke i dërguar një mesazh të qartë SHBA-së.
“Për Presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, shkroi Osmani.
Ajo rikujtoi se kishte kërkuar formalisht nga Qeveria e Kosovës pezullimin e tarifave për mallrat amerikane, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ekonomike dhe politike mes dy vendeve.
Ky veprim shihet si një përkushtim i qartë i Kosovës për thellimin e bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thtë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avandcuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës. Vendimi është edhe përgjigje në thirrjen e Odës Ekonomike Amerikane të para disa muajve, e cila rekomandonte një vendim të njëanshëm preferencial tregtar, për të nxitur tregtinë dypalëshe si dhe për ta pozicionuar Kosovën në mënyrë të favorshme për një Marrëveshje të ardhshme të Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
OAK vlerëson se duke hequr tarofat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese dhe në të njëjtën kohë, sipas saj, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve.
“Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përgëzon Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi duke shprehur gatishmërinë për promovimin e mundësive të shkëmbimit më të madh tregtar në të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe ata në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
