• E shtunë, 7 Mars, 2026

Tre skenarët e Serbisë: midis izolimit, rusofilëve dhe rrugës evropiane

EA
Shtator02/ 2025

Problematike është fakti që pjesëmarrësit më të zëshëm të protestave, në thelbin e tyre politik, nuk dallojnë fare nga falangat radikale që sot përbëjnë bërthamën e pushtetit të Vuçiqit. Për këtë, ndër të tjera, dëshmon edhe fakti se si lojalistët e Vuçiqit ashtu edhe protestuesit e akuzojnë njëri-tjetrin për tradhtinë e Kosovës, të Republikës Srpska, për shndërrimin e Serbisë në koloni evropiane, për servilizëm ndaj Perëndimit

Shkrim autorial i Dragan Shormaz për The Geopost

Situata politike në Serbi po bëhet edhe më e ndërlikuar dhe më radikale, e gjitha kjo në mes të verës, një periudhë kur, për shkak të pushimeve vjetore, është pothuajse e pamundur të mblidhet një numër i konsiderueshëm njerëzish në protesta. Megjithatë, gjatë gjithë verës protestat në Serbi kanë vazhduar, ndërsa në njëzet ditët e fundit ka ardhur edhe deri tek një radikalizim i ri i tyre. Përplasje të reja ndodhën në momentin kur dukej se edhe vetë studentët vetëm po e mbanin gjallë flakën e revoltës, me shpresë që në vjeshtë ta ndezin sërish, duke e detyruar kështu regjimin e lëkundur të Aleksandar Vuçiqit të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Dekania e universitetit shtetëror të Novi Pazarit ka ardhur së fundmi me një ide absurde që, në një mjedis të mbushur me ndarje politike, kombëtare, rajonale dhe të çdo lloji tjetër, të marrë nën kontroll institucionin arsimor me ndihmën e një sigurie private, e cila ishte sjellë nga një qytet tjetër dhe kjo nën mbulesën e natës, në orët e hershme të mëngjesit. Pas kësaj, udhëheqja pa ide e SNS-it dhe e Serbisë i ra ndër mend që një hordhi të rinjsh të stërvitur, me muskuj dhe tatuazhe, fotot e të cilëve nga dosjet janë të njohura për çdo polic që e bën punën e vet seriozisht, t’i dërgojë “spontanisht” në lagjet e rebeluara të Novi Sadit, Liman. Dhe gjithë kjo me detyrën që, në temperatura mbi 40 gradë, duke lyer fasadat me ngjyrat e flamurit serb, t’i “riedukojnë kombëtarisht” këta banorë, të cilët falangistët e pushtetit i kanë pagëzuar si ustashë dhe antiserbë, të “Athinës serbe”.

Incidenti i tretë me radhë ndodhi sërish falë “inovativitetit” autodestruktiv të kuadrove të pushtetit. Kësaj here ata erdhën me idenë që kundërshtarët politikë, të cilët në Vrbash po protestonin përpara selisë lokale të SNS-it, t’i sulmonin me mjete piroteknike, përfshirë fishekzjarre, objekte masive çeliku, gurë dhe tërë arsenalin e njohur njerëzve të epokës së gurit dhe bronzit.

Secili prej këtyre ngjarjeve të numëruara shkaktoi reagime nga “studentët” që përfunduan me përplasje me policinë në rrugë dhe me shkatërrimin, madje edhe djegien e selive të partisë së Vuçiqit në disa qytete të Serbisë. Në shënjestër u gjendën edhe të famshmit “Kobra”, pjesëtarë të njësisë me të cilën Vuçiq dikur i kishte kërcënuar studentët, por që në përballjen me turmën e zemëruar nuk kaluan edhe aq mirë.

Megjithatë, edhe vetë Vuçiq kujtoi se roli i viktimës në këtë moment mund t’i shërbente si i dobishëm për përmirësimin e rejtingut të lëkundur, prandaj filloi t’i dërgonte vetë grupe të stërvitura për të djegur selitë e partisë së tij, duke akuzuar për këtë, sipas recetës së vjetër të Gebelsit, kundërshtarët e vet politikë.

Ajo që u bë e qartë pas 28 qershorit dhe mitingut të madh studentor në Beograd është se lëvizja protestuese në Serbi është shndërruar në një lloj konfederate (shoqëri aksionare) grupesh të ndryshme, secila prej të cilave përpiqet ta shfrytëzojë për interesat dhe qëllimet e veta shumicën e lëvizjes dhe energjinë e saj protestuese. Problematike është fakti që pjesëmarrësit më të zëshëm të protestave, në thelbin e tyre politik, nuk dallojnë fare nga falangat radikale që sot përbëjnë bërthamën e pushtetit të Vuçiqit. Për këtë, ndër të tjera, dëshmon edhe fakti se si lojalistët e Vuçiqit ashtu edhe protestuesit e akuzojnë njëri-tjetrin për tradhtinë e Kosovës, të Republikës Srpska, për shndërrimin e Serbisë në koloni evropiane, për servilizëm ndaj Perëndimit – të gjitha këto të shoqëruara me shkëmbimin e rregullt të thirrjeve fyese “ustashë” dhe “shqiptarë”.

Ajo që gjithashtu i bashkon është orientimi i tyre anti-evropian dhe anti-perëndimor. Kjo është veçanërisht problematike nëse kemi parasysh se Serbia e ka humbur tërë vitin 2025, vit që duhej të ishte vit i kapjes së hapit me pjesën tjetër të rajonit në procesin e integrimeve evropiane, finalja e madhe e të cilit pritet në vitin 2030. Në vend që gjithë energjinë ta drejtonte tek procesi i anëtarësimit, Serbia jo vetëm që ka humbur ndoshta vitin kyç, por ka nxjerrë në sipërfaqe edhe dy rryma, tipari kryesor i të cilave është mungesa e dëshirës ose kundërshtimi i hapur ndaj anëtarësimit të vendit në BE.

Para nesh janë tre skenarë të mundshëm:

1 – është në zhvillim. Ky është skenari i Vuçiqit, i cili tashmë është në veprim dhe është i ngjashëm me skenarin gjeorgjian – gjithçka që kam shkruar më herët për lëvizjet e Vuçiqit, plus këto tubime të fundit të përkrahësve të tij, si edhe masat e reja “magjike” ekonomike që kinse duhet t’i ndihmojnë shtresës së varfër. Këto masa janë goditje ndaj zinxhirëve tregtarë (kryesisht perëndimorë) dhe bankave (po ashtu kryesisht perëndimore). Kjo është dëshmi se Serbia tani është krejtësisht e izoluar nga BE-ja, ndërsa zgjidhja e Vuçiqit është ta thellojë edhe më shumë këtë izolim dhe të mbështetet tek Kina dhe Rusia për të mbijetuar në pushtet! Këto hapa janë të drejtuar vetëm tek elektorati i tij i fortë për të ndalur shpërbërjen. Të gjitha këto shoqërohen me përdorimin e zakonshëm të shablloneve të FSB-së në narrativën mbi armiqtë e jashtëm (Perëndimi) dhe të brendshëm (“shqiptarët” dhe “ustashët”) që duan ta shkatërrojnë Serbinë – por ai, siç thotë, do ta japë jetën, por Serbinë nuk e dorëzon. Ndërkohë, përpiqet të gjejë (për publikun në mënyrë të padukshme) mënyra për t’i ndihmuar Perëndimit lidhur me Dodikun dhe zgjedhjet në Kosovë, që t’ua bëjë qejfin. Llogarit se kështu do t’i dobësojë protestat dhe do t’i shtyjë zgjedhjet për një vit!

2 – është skenari i lëvizjes “studentore”. Kam mjaft përvojë në politikë që, që nga Vidovdani, e di se lëvizja “studentore” është vetëm me emër e tillë. Ata tashmë kanë këshilltarë marketingu, mbështetje të jashtme (ruse) përmes zëdhënësve më të moshuar dhe përkrahje mediatike nga mediat elektronike antiqeveritare. E gjithë energjia e tyre është e përqendruar në fitoren ndaj SNS-it, por edhe në shkatërrimin e opozitës! Ata duan të krijojnë një atmosferë referendumi në mënyrë që “lista studentore” të dalë vetë si kundërshtare e Vuçiqit. Llogarisin se serbët është më e lehtë të bindën të votojnë kundër dikujt sesa për diçka! Organizojnë në disa vende të Serbisë një lloj protestash, të cilat janë shumë pak të vizituara (p.sh. mbrëmë tek unë në Smederevë nuk kishte më shumë se 20 vetë). Narrativi i tyre është kryesisht rreth Vuçiqit si tradhtar, që shet litiumin, Kosovën dhe Republikën Srpska! Gjithnjë e më pak përmendet shteti ligjor apo lufta kundër korrupsionit! Qëllimi i tyre është të presin vitin e ri shkollor dhe të freskojnë radhët me 55.000 studentë të vitit të parë. Nëse këto protesta zgjasin, ndoshta të gjithë bashkë do ta presim përvjetorin e rrëzimit të tendës, do të rikthejmë “duart me gjak” dhe të gjitha kërkesat origjinale në protesta dhe do ta shtyjmë regjimin drejt ndryshimeve në kahun e vlerave evropiane dhe zgjedhjeve të reja! Megjithatë, në skenarin e dytë gjithçka është vetëm ndoshta!

3 – është skenari im. Që nga tragjedia në shkollën “Ribnikar” dhe në fshatrat Malo Orashje dhe Dubona, më 4 maj 2023, them të njëjtën gjë: është e nevojshme që përfaqësuesit e opozitës pro-evropiane, sektorit civil pro-evropian dhe lëvizjes “studentore” të ulen, të bien dakord dhe t’i dërgojnë një KËRKESË BE-së për takim në Bruksel. Atje t’i ofrojnë bashkëpunim BE-së dhe të propozojnë formimin e një QEVERIE TË PËRKOHSHME PRO- EVROPIANE e cila brenda një viti, në maksimum, do të ndërmerrte gjithçka që është e nevojshme për ta rikthyer Serbinë në rrugën e anëtarësimit të shpejtë në Bashkësinë e popujve evropianë, pra edhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë, si dhe të zbatonte të gjitha rekomandimet e ODHIR-it në legjislacionin tonë zgjedhor, e më pas të mbante zgjedhje të lira!

Në këtë mënyrë Serbia, njëherë e përgjithmonë, do të çlirohej nga radikalët në pushtet. Rajoni dhe Evropa do të merrnin frymë lirisht, ndërsa qytetarët tanë do të hapnin sytë dhe do të merrnin frymë si njerëz të lirë. Nuk po supozoj, por E DI që BE do t’i përgjigjej pozitivisht këtij thirrjeje dhe se një skenar i tillë do të mbështetej edhe nga SHBA! Ata janë të vetmit që mund t’i japin Vuçiqit “një ofertë që nuk mund ta refuzojë”! Ai do të mbetej president deri në fund të mandatit ose derisa të jepte dorëheqje, por vetëm brenda kuadrit të kompetencave që parashikojnë Kushtetuta dhe ligjet e Serbisë!

Çfarë do të ndodhë nga këto tre skenarë varet vetëm nga të gjithë ne që e përbëjmë shoqërinë në Serbi!
Skenari i parë na çon drejt izolimit dhe vuajtjes me pushtetin e Vuçiqit, drejt paqëndrueshmërisë dhe varfërisë gjithnjë e më të madhe!
Skenari i dytë na çon drejt një ZËVENDËSIMI në krye të pushtetit që nuk i përshtatet askujt, përveç rusëve! BE-ja, në vend të Vuçiqit të dobët, do të kishte për bashkëbisedues një rusofil përkohësisht të fuqishëm, ndërsa qytetarët do të merrnin të njëjtën gjë – madje edhe më shumë
izolim, më shumë paqëndrueshmëri dhe rritje të varfërisë!
Skenari i tretë na çon drejt marrjes së vendit tonë në botën euroatlantike, e kjo do të thotë – liri, demokraci, siguri, mbrojtje, prosperitet dhe përmirësim ekonomik për çdo qytetar të Serbisë!

Historia thotë se ne serbët zgjedhim gabimisht gjithmonë më të keqen! A do të ndodhë kështu edhe këtë herë?

Spread the love