• E premte, 23 Janar, 2026

Trump pajtohet: Ukraina duhet të përfshihet në të gjitha diskutimet mbi lëshimet territoriale

EA
Gusht13/ 2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është pajtuar me udhëheqësit evropianë që Ukraina duhet të jetë pjesë e të gjitha bisedimeve mbi lëshimet e mundshme territoriale me qëllim që të përfundojë lufta me Rusinë, tha Presidenti francez, Emmanuel Macron, shkruan Politico.

Makron foli pas një takimi njëorësh në të cilin, përveç Trump, morën pjesë edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës evropianë, të mbajtur përpara takimit të presidentit amerikan me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, të premten në Alaska.

“Çështjet territoriale që bien nën juridiksionin e Ukrainës nuk mund të negociohen dhe mund të negociohen vetëm nga Presidenti i Ukrainës”, theksoi Macron, duke shtuar se Trump “shprehu” të njëjtën pikëpamje.

Të hënën, Trump tha se një marrëveshje paqeje do të kërkonte një “shkëmbim territoresh” midis Ukrainës dhe Rusisë, por nuk specifikoi se cilat zona. Macron, megjithatë, deklaroi se nuk pati diskutime të mëdha mbi këtë temë gjatë bisedimeve.

Duke folur nga rezidenca e tij në jug të Francës, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Macron theksoi se presidenti ukrainas hodhi poshtë mundësinë e çdo shkëmbimi territoresh pa pëlqimin e Ukrainës.

“Dua të theksoj menjëherë se çështjet që lidhen me integritetin territorial të vendit tonë nuk mund të merren në konsideratë pa respekt për vendin tonë, popullin tonë, vullnetin e shtetit dhe vullnetin e popullit tonë, si dhe Kushtetutën e Ukrainës”, tha Zelensky pas bisedës të mërkurën.

Makron dhe Costa shtuan se ndër pikat për të cilat ranë dakord me Trump ishte angazhimi për një armëpushim dhe përfshirja e SHBA-së në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën, sipas Politico.

Spread the love