Hekuran Murati, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje është emri i ri që ka dështuar në përpjekjen për t’u bërë kryetari i Parlamentit të Kosovës.
Ai mori 57 vota pro, ndërsa 52 ishin kundër. Abstenuan 6 deputetë. Përveç Nismës Socialdemokrate abstenuan edhe deputetë të AAK-së për herën e parë.
Para Muratit, në votimet e tjera të hapura pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dështuan edhe Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive (22 gusht) ishte i dyti pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Pas seancës së 20 gushtit, Vetëvendosje V-ja akuzoi PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe se po bllokojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke vlerësuar se u vërtetua se problemi nuk ishte tek emri i Albulena Haxhiut, por problemi është Vetëvensdosje.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur kandidaturën si të qëllimshme për të dështuar në marrjen e mbështesje së mjaftueshme nga partitë politike.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se me qëllim nuk dëshiron që Kuvendit të konstituohet.
“Ata e sollën edhe një herë një kandidat që e dinin saktë se nuk i merr votat sepse e kemi bërë të qartë se PDK nuk e voton asnjë nga anëtarët e ish-kabinetit Kurti 2, duke përfshirë edhe shefin e grupit parlamentar sa për qartësi. Ajo nga pozicioni i saj e ka ndërlidhjen dhe rëndësinë më të madhe se plotë nga ministrat, por normalisht ka rezerva tjera në pozicionin dhe veprimtarinë e saj gjatë kësaj pozite. Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë Kuvendin sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota”, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, Donika Gërvalla tha se bllokimi nuk lidhet me emra të përveçëm, por me opozitën që nuk dëshiron kostituim të Kuvendit.
“Bllokimi s’lidhet me emra të përveçëm, lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re. Frika e opozitës nga qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur gjatë ditëve, javëve e muajve të fundit”, tha ajo.
Kjo ishte përpjekja e 56-të në seancën konstituive për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por sërish pa sukses. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 24 gusht.
Ngërçi rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit ka vonuar konstituimin e plotë të institucioneve pas zgjedhjeve, duke thelluar krizën institucionale në vend./GazetaFAKTI
