• E premte, 24 Prill, 2026

MUNGESA E MODELEVE, NXIT KRIZËN E BESIMIT

EA
Shtator26/ 2025

Kemi hyrë në fushatë zgjedhore në të cilën sërish rinia është përjashtuar. Të rinjtë me integritet moral e professional, me gjithë ndershmërinë e tyre nuk lejohen të ngrihen, lihen  jashtë loje nga pleq të korruptuar e analfabetë funksional, për të na dëshmuar për së gjalli se ekziston mungesa e modeleve në këtë sistem të kalbur.

Nga Dijana TOSKA

Kriza më e madhe që po jetojmë sot nuk është vetëm ekonomike, politike apo sociale. Është mbi të  gjitha kriza e besimit, valuta më e vlefshme e një shoqërie, pa të cilën as politika, as drejtësia, as institucionet nuk kanë kuptim demokratik.

Shoqëritë tona dolën nga sisteme ku pushteti nuk ishte i qytetarëve, por i partive dhe klaneve. Demokracia u soll më shumë si formë, jo si kulturë. Politika nuk u ngrit mbi etikë e përgjegjësi, por mbi logjikën e sundimit dhe të kontrollit.

Nuk aritëm të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë, jo, me fjalë, por nga shembujt. Votuam e mitizuam figura publike, pa integritet e kredibilitet vlerash dhe ky skenar u përsërit brez pas brezi duke sjellur një boshllëk të rrezikshëm dhe humbjes së çdo reference morale kombëtare.

Demokracia humbi themelin e saj, besimin. Nga një histori e rëndë, politikë të kapur, drejtësi të korruptuar, media të sponzorizuara nga oligarkët dhe një shoqëri që u dorëzua dalëngadalë te cinizmi e indiferenca, ndërkohë që arratisja nga vendi mbolli një dyshim kolektiv që vret çdo mundësi e shpresë për ndryshim.

Nga kjo plagë e hapur shoqërore që ndërtuam si shoqëri lind pyetja më e turpshme që mund ta shtrojë  rinia sot për ne si prindër: “a ia vlen të jem i ndershëm”?

Mungesa e besimit nuk është thjesht zhgënjim kalimtar, por helm i heshtur Ajo ka kthyer rininë  në trup pa gjak, pa zemër dhe pa vizion. Ikja e tyre është përgjigjja më e dhimbshme që mund të marrë një vend, në të cilën mund të mbijetohet në varfëri, edhe në kriza të ndryshme, por jo pa besim.

Dhe një vend që humb rininë humb edhe të ardhmen morale të saj.

Kemi hyrë në fushatë zgjedhore në të cilën sërish rinia është përjashtuar. Të rinjtë me integritet moral e professional, me gjithë ndershmërinë e tyre nuk lejohen të ngrihen, lihen  jashtë loje nga pleq të korruptuar e analfabetë funksional, për të na dëshmuar për së gjalli se ekziston mungesa e modeleve në këtë sistem të kalbur.

Por besimi mund të rikthehet. Një ditë, rinia do ta kuptojë se zemërimi, dhimbja dhe zhgënjimi nuk ishin kot. Ato ishin gurët që i detyruan të ndërtonim një shoqëri të re, ku besimi nuk do të jetë luks, por alfa dhe omega me të cilin frymon një shoqëri e civilizuar.

Brezi i ri nuk ka pse të pranojë trashëgiminë e një klase politike të korruptuar. Përkundrazi, ai duhet të krijojë modele rezistence që mbrojnë pa frikë dinjitetin e njeriut që nuk shkel mbi të tjerët për të ecur përpara

Modeli i së ardhmes nuk është një emër, një lider, një figurë e vetme. Është një gjeneratë që guxon të besojë se jeta ka kuptim vetëm kur jetohet me nder.

Shpresa nuk është gjithmonë e madhe dhe e zhurmshme. Ajo mund të rritet në heshtje, në zemrat e njerëzve që nuk dorëzohen, në idealet për një jetë më të bukur. Dhe mund ta gjesh tek kultura, ku arti dhe letërsia hapin horizonte të reja mendimi. Tek shkenca dhe dija që nuk mund ti manipulon asnjë pushtet. Tek aktivizmi qytetar, ku guximi për të vërtetën është akt heroik dhe në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë që dëshmojnë se, besimi në njeriun ende ekziston.

Demokracia pa besim nuk jeton . Ajo është e gjallë vetëm kur qytetari është i gjallë brenda saj.

Shkup, 26 shtator 2025

Spread the love