• E enjte, 30 Korrik, 2026

Portreti i një qyteti nëpërmjet objektivit të mjeshtërve të fotografisë

EA
Korrik30/ 2026

Fotografi ikonike nga Alfred Stieglitz, Saul Leiter, Dorothea Lange dhe emra të tjerë të mëdhenj, sjellin në vëmendje peizazhin urban amerikan – nga skenat e krimit në mesnatë deri te korridoret e errëta të ndërtesave – në ekspozitën “Portrait of a City: A Century of American Photography”, e hapur në Londër

Kjo është vetëm ekspozita e dytë fotografike në historinë e galerisë “Dulwich Picture” në Londër, por arrin të jetë njëkohësisht e qetë, reflektuese dhe jashtëzakonisht tërheqëse. Ajo ndjek zhvillimin paralel të dy proceseve: ndërtimin e qytetit modern dhe evolucionin e gjuhës së fotografisë.

Ekspozita me titull “Portrait of a City: A Century of American Photography”, përqendrohet tërësisht te veprat e fotografëve më përfaqësues të shekullit XX, të realizuara në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Ajo ofron një përmbledhje të zgjedhur me kujdes, që nis me pionierët e fotografisë piktorialiste në New York, Alfred Stieglitz dhe Edward Steichen, për të vijuar me kryevepra të dokumentimit social si “Migrant Mother” dhe “White Angel Breadline” të Dorothea Lange, si edhe portretin emblematik të Lewis Hine për punëtorin Victor “Frenchy” Gosselin, gjatë ndërtimit të ndërtesës ikonike, “Empire State”.

Në ekspozitë janë të pranishëm pothuajse të gjithë emrat e mëdhenj të fotografisë amerikane: Ilse Bing, Mary Ellen Mark, Diane Arbus, Saul Leiter, Richard Avedon dhe shumë të tjerë. Megjithatë, kjo ekspozitë ka një veçori: të gjitha veprat vijnë ekskluzivisht nga koleksioni i fondacionit “DNB Savings Bank”, gjë që ka kufizuar edhe zgjedhjet kuratoriale.

Një seri filmash të shkurtër sjellin këndvështrime të reja mbi fotografitë.

Një material filmik prej vetëm 44 sekondash, i realizuar në vitin 1931 në kuzhinën popullore “White Angel” në San Francisko – aty ku Dorothea Lange krijoi një nga fotografitë më të njohura të periudhës së Depresionit të Madh – paraqet një atmosferë krejt ndryshe nga vetmia e zymtë që përcjell fotografia. Nën tingujt ritmikë të muzikës swing, shfaqet një komunitet i gjallë, i udhëhequr nga një grua e buzëqeshur që shpërndan ushqime dhe riparon rroba për njerëzit në nevojë.

Spread the love