Një studim i rëndësishëm mbi Konferencën e Mukjes, e mbajtur më 1-3 gusht 1943, është botuar së fundmi në një revistë shkencore të historisë së shekullit XX në Beograd, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve shqiptarë, por edhe të komunitetit ndërkombëtar të historisë.
Autor i studimit është historiani shqiptar Marenglen Kasmi, i njohur për analizat e tij mbi Luftën e Dytë Botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai është historiani i parë shqiptar që boton një studim të tillë për historinë e Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë në një revistë shkencore në Beograd.
Rëndësia e këtij botimi nuk qëndron vetëm te përmbajtja shkencore, por edhe te fakti që një revistë prestigjioze serbe ka vendosur të trajtojë historinë shqiptare me seriozitet. “Është një revistë prestigjioze, e hapur për autorë të të gjitha vendeve. Botimi i një studimi shqiptar për Konferencën e Mukjes tregon qartë një vëmendje dhe respekt ndaj historisë sonë, më të hapur sesa ç’ndodh shpesh në botimet tona lokale,” tha Kasmi gjatë një interviste për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv.
Në studimin e tij, Kasmi analizon vendimet kryesore të Mukjes, përfshirë bashkëpunimin midis Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, dhe thekson se prishja e marrëveshjes nuk lidhet kryesisht me çështjen e Kosovës, siç është interpretuar shpesh, por me arsye politike dhe strategjike brenda Shqipërisë.
“Rëndësia e këtij botimi është se historiografia serbe i kushton vëmendje historisë shqiptare dhe nuk i shmang debatet e vështira. Kjo hap mundësi për diskutime shkencore të bazuara mbi dokumente dhe fakte, jo thjesht interpretime politike. Ata nuk m’i ndryshuan gjë studimit. Vetëm më kanë pyetur për disa gjëra që janë detyruar t’i sqarojnë për lexuesin serb.” shtoi Kasmi.

Interesi i Beogradit për këtë ngjarje historike nuk është rastësor. Historianët serbë e shohin Mukjen si një pikë kyçe për të kuptuar dinamikat e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos lidhjet mes forcave shqiptare dhe ndikimin e Jugosllavisë në rajon.
“Botimi i këtij studimi tregon se historiografia serbe i kushton vëmendje të veçantë historisë shqiptare, duke hapur debate shkencore që shkojnë përtej kufijve,” tha Kasmi për emisionin Dekalog.
Nga ana e tij, studiuesi shqiptar thekson se interesimi serb nuk lidhet me nacionalizëm, por me nevojën për të kuptuar marrëdhëniet dhe aleancat politike në periudhën e luftës, që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi stabilitetin e Ballkanit.
