• E martë, 20 Janar, 2026

Dije LOHAJ:TEMPULLI I KURVËRISË NË MËNGJESIN E SHTETIT

EA
Korrik19/ 2025

(Vargje inspiruar nga shkrimi “KUR JE KURVË ME MANDAT” të Dijana Toskës!)

Në mëngjesin e shtetit tim
drita vjen jo nga dielli, por nga një reflektor cirku.
Mbi fytyrat e lyer me pudër,
ku moralet rrjedhin si grimca pluhuri
në mushkëritë e një foshnje të lindur pa emër.

Në altarin ku dikur betoheshin me zemër,
tani digjen fjalë të rreme si temjan i mykur.
Mbi statuja prej mermeri të moralit të vdekur,
luajnë vallë politikanët kukulla pa fytyrë.

Unë jam spektatorja
me sytë si thikë në vitrinat e Kuvendit.
Aty ku një dorë firmos,
tjetra shkruan mesazhe në lëkurën e një marrëveshjeje.
Aty ku ideologjia ka vdekur,
dhe e kanë varrosur nën thembrën e një këpucë laku.

Kullat e shtetit? Bordello me dritare të mëdha,
ku hyjnë burrat e pushtetit, dalin pa dinjitet.
Në krevatin e marrëveshjeve, nën çarçafët e votës,
lakuriq, bëjnë seks me bindjet, derisa mbesin pa to.

Më thonë: “Shiko, ajo është demokracia!”
Por unë shoh një grua të plakur,
me gjoksin jashtë, duke bërtitur çmime
në një treg ku edhe gjaku është me zbritje.

Shiten idealet në tregun e ditës,
si fruta të kalbura në cep të një pazari.
Çmimi? Një karrige, një mikrofon, një status,
dhe populli blerës i përjetshëm i mashtrimit të tij.

Nëna ime më mësoi të mos jem kurvë,
por ja ku jam me pasaportën time,
me heshtjen time, me taksat që ushqejnë bordellon.

Këta nuk janë burra.
Janë qen që nuhasin ligjin si aromë gruaje.
Janë makina me dritare të errëta,
që qeshin me dhembë floriri, ndërsa djegin kontrata
dhe ngrohen me hirit e idealeve.

E ne? Populli i perëndive dhe gjakut të lashtë,
kemi harruar zërin, e kemi bërë heshtjen fe.
Shikojmë nga dritarja e historisë sonë të lodhur,
si shitësit e shpresës bëjnë parada nëpër TV.

Oh, unë nuk qaj më.
Lotët e mi janë bërë kartmonedha
i shpërndaj në kutitë e votimit
si të ishin farë për një të nesërme që nuk mbin.

Në vend të flamurit, valëvitet një fustan i grisur,
në krahun e majtë logo partie,
në të djathtin tradhti.
Dhe kur bie nata mbi parlamentin e prostituuar,
dëgjohet psherëtima e fundit: “Kjo është demokraci…”

Në këtë vend,
edhe shpresa ka bërë marrëveshje koalicioni.
Dhe unë
jam vetëm një grua me një letër të bardhë,
që bërtet në heshtje:
“Unë refuzoj të jem pjesë e kësaj orgjie.”

Spread the love