Brukseli po lëviz drejt një modeli të ri zgjerimi: vende brenda Unionit, por nën kontroll, me veto të pezulluar dhe me test të posaçëm për liderët e Ballkanit…
Nga Gjergj ZEFI
Debati që është hapur në BE për “anëtarë pa veto”, “periudhë prove” dhe kufizim të të drejtave të shteteve të reja nuk lidhet thjesht me Malin e Zi apo me Mandiq-in, por me frikën strategjike të Brukselit: të mos prodhojë më “Orbánë të rinj” në Ballkan dhe në lindje të Europës.
‘Vijesti’, e përditshmja më e madhe në Malin e Zi, e thotë hapur se ideja për t’i kufizuar të drejtat e Malit të Zi në rast anëtarësimi nuk vjen nga paniku ndaj një qeverie pro-serbe, por nga trauma politike që BE ka me Hungarinë, vetot e saj dhe bllokimin sistematik të vendimmarrjes së Unionit.
Brukseli sot është në një pikë kthese: nga njëra anë, pas agresionit rus në Ukrainë është krijuar konsensus i ri që zgjerimi duhet të ndodhë brenda dekadës; shefja e diplomacisë Kaja Kallas flet qartë për perspektivë realiste deri në 2030 dhe përmend shprehimisht Malin e Zi dhe Shqipërinë si vendet më të përgatitura.
Nga ana tjetër, i njëjti Union sheh si rrezik faktin që një vend i vogël, me elitë politike të paqëndrueshme dhe me ekspozim ndaj ndikimeve ruse, serbe apo kineze, mund të hyjë brenda dhe të përdorë veton për të bllokuar politika të tëra të BE-së, një “kalë troje” që e kemi parë tashmë me Hungarinë dhe, pjesërisht, Poloninë.
Këtu hyn ideja e “periudhës së provës”: një model ku vendet e reja marrin fonde, qasje graduale në tregun e vetëm dhe ulëse në tavolinë, por jo menjëherë të drejtën për të bllokuar vendimet më të ndjeshme, sidomos në politikën e jashtme dhe sigurinë. Kjo po artikulohet në ‘think-tank’, në dokumente jozyrtare gjermano-sllovene, në raporte të Delors Institute dhe në debatet e fundit në Bruksel.
Teknikisht, BE ka nisur ta përgatisë këtë kurs prej disa vitesh. Metodologjia e re e zgjerimit e vitit 2020 e bëri procesin të kthyeshëm, nëse një vend bën hapa prapa në sundimin e ligjit apo demokraci, kapitujt mund të pezullohen, fondet të ngrijnë, madje të kthehen prapa.
Në dokumentet e fundit të Komisionit për paketën e zgjerimit 2025 theksohet qartë se edhe pas anëtarësimit, vendet e reja do të mbeten nën monitorim të fortë për shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat themelore, pra, hyrja nuk është më “biletë pa kthim”, por një kontratë që mund të penalizohet rëndë nëse keqpërdoret.
Tani, ideja e kufizimit të vetos për anëtarët e rinj është hapi logjik i radhës: në vend që BE të presë sa të përsëritet rasti i Orbán-it me një vend të ri nga Ballkani apo lindja, po mendon t’u japë një “licencë të kufizuar drejtash” për disa vite derisa të provohet që nuk janë “kalë troje” i Rusisë, Kinës, Serbisë apo interesave të tjera jo-evropiane.
Për Ballkanin Perëndimor, kjo do të thotë që premtimi klasik “dite e parë anëtar, ditën e dytë i barabartë me Gjermaninë dhe Italinë” praktikisht po shuhet.
Në vend të tij po imponohen modele “anëtarësimi gradual” dhe “integrimi i fazuar”: qasje në tregun e vetëm, fonde të rritura, pjesëmarrje në politika sektoriale (energji, transport, digjital) përpara dhe gjatë anëtarësimit, por me shkallëzim të të drejtave politike.
Për vendet e rajonit; Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë, Kosovë, kjo është një shpatë me dy tehe: nga njëra anë, hap mundësinë që integrimi ekonomik të ndodhë më shpejt dhe realisht mund t’u sjellë fonde, investime dhe rritje ekonomike shumë më parë se anëtarësimi formal; mjafton të kujtojmë planin e rritjes 6 miliardë euro dhe iniciativat e reja të investimeve që Ursula von der Leyen prezantoi në Tiranë, duke folur për dyfishim të ekonomive të rajonit nëse bëhen reformat. Nga ana tjetër, krijon një kategori të re “anëtarësh të dorës së dytë” qoftë edhe përkohësisht: vende që kontribuojnë, marrin pjesë, por nuk kanë të njëjtën peshë politike, nuk kanë menjëherë instrumentin e vetos, e ndoshta për një kohë të caktuar as të drejtën të bllokojnë agjenda që cenojnë interesat e tyre kombëtare.
Për Shqipërinë konkretisht, sinjalet e fundit nga Brukseli janë të dyfishta dhe duhet lexuar me gjakftohtësi diplomatike. Nga njëra anë, Tirana renditet mes vendeve më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit; Komisari i zgjerimit Marta Kos flet për “progres të paprecedentë” dhe diplomacia e BE-së e sheh Shqipërinë, bashkë me Malin e Zi, si kandidatet më pak problematike institucionalisht. Nga ana tjetër, e njëjta retorikë vjen e shoqëruar me paralajmërim: pa reformë reale në drejtësi, pa luftë të besueshme kundër korrupsionit dhe pa konsolidim të shtetit ligjor, Shqipëria rrezikon të përfundojë në kategorinë e vendeve që hyjnë në BE por jo si lojtare të plota që ditën e parë. Pra, rreziku nuk është më “mos na marrin në BE”, por “të hyjmë si shembull i paralajmëruar se mund të na mbajnë në regjim prove”. Kjo do të thotë legjitimitet i cunguar politik, fuqi e reduktuar për të mbrojtur interesat tona në tavolinë dhe rrezik që statusi i “anëtarit të ri problematik” të ndjekë Tiranën për vite.
Në planin gjeopolitik, llogaritë e BE-së janë brutalisht pragmatiste: Brukseli e di që pa Ballkanin dhe pa vendet si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, vetë arkitektura e sigurisë evropiane mbetet e mangët dhe e ekspozuar ndaj Rusisë, Kinës dhe fuqive të tjera rivale. Zgjerimi nuk është më luks, është nevojë sigurie, ndaj dhe flitet për anëtarësim deri në 2030. Por po aq e qartë është se BE nuk dëshiron të importojë kriza të reja të sundimit të ligjit dhe demokracisë, as të rrisë numrin e shteteve që mund të përdorin veton për të bllokuar sanksione ndaj Moskës apo masa ndaj Pekinit. Raportet e fundit paralajmërojnë hapur se vendet e Ballkanit, nëse hyjnë pa filtra, mund të bëhen promotorë të interesave kineze brenda BE-së, veçanërisht përmes marrëveshjeve të borxhit, projekteve të infrastrukturës dhe lidhjeve të errëta ekonomike. Kjo shton argumentin për mekanizma mbrojtës: anëtarësim po, por me gardh sigurie ndaj atyre që mund të shndërrohen në të ardhmen në Orbán të rinj me flamur tjetër.
Në këtë kuadër, frika nga “Orbánët e rinj” është në fakt frikë nga elitat hibride: elita politike që flet gjuhën e BE-së, firmos marrëveshje, merr fonde, por në terren mban klientelizëm, kontroll mbi mediat, kapje të drejtësisë dhe lidhje të padeklaruara me qendra interesi në Moskë, Beograd, Ankara apo Pekin.
Viktori Orbán ka treguar se si mund të përdoret Unioni si bankomat, ndërsa bllokon vendimmarrjen në çdo moment kritik dhe kërcënon vazhdimisht me veto derisa të marrë koncesione. Brukseli nuk dëshiron të shohë një variant ballkanik të kësaj skeme, qoftë në Podgoricë, Beograd, Sarajevë apo Tiranë. Prandaj, edhe kur publikisht flitet për “ëndrrën evropiane të Ballkanit”, prapa skenës hartohen modele transicionale, kufizime vetoje, mekanizma të rinj sanksionimi dhe ide që do të ndryshonin vetë mënyrën si funksionon BE pas zgjerimit.
Për Shqipërinë, pyetja strategjike nuk është thjesht “kur hyjmë”, por “me çfarë statusi hyjmë”. Një Shqipëri me institucione relativisht të konsoliduara, me reforma të besueshme në drejtësi, media më të lira dhe ekonomi më transparente mund ta përdorë logjikën e re të zgjerimit në favor të saj: të marrë më shumë fonde, më shumë akses në tregun e përbashkët, më shumë investime, ndërsa ndërkohë të negociojë që periudha e “anëtarit pa veto” të jetë minimale në kohë dhe e kufizuar në fushë. Një Shqipëri që vazhdon me gjysmë-reforma, me polarizim artificial, me korrupsion të lartë dhe institucione të kapura rrezikon të futet në BE si shembull që justifikon pikërisht kufizimet që sot po diskutohen. Në atë skenar, Ballkani Perëndimor do të shndërrohej në “dhomën e provës” së një BE-je të re, ku barazia formale anëtar-shtet do të zëvendësohej për disa vite nga një hierarki praktike të drejtash.
Për ta përmbledhur në gjuhë të thjeshtë: BE po përpiqet të shpëtojë zgjerimin duke mos e shkatërruar veten nga brenda. Vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, duhet ta lexojnë qartë këtë mesazh: “Po, duam t’ju marrim Brenda; por kësaj radhe, pa na u kthyer në Orbánë të rinj”. Kush e kupton këtë ekuacion dhe e përdor për të forcuar shtetin ligjor dhe demokracinë e vet, ka shans të hyjë si partner, jo si i dyshuar nën provë. Kush e injoron, rrezikon të marrë një biletë hyrjeje për në një BE ku është i pranishëm fizikisht, por politikisht i kufizuar./Pamfleti