• E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Hap punimet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

EA
Gusht19/ 2025

Tash e më shumë se gjysmë shekulli, Prishtina mbledh albanologë e studiues të rinj nga i gjithë globi. Të hënën rituali u rikthye. Edicionit të 43-të të Seminarit – që në vitet ’90 nuk mbajti disa edicione shkaku i regjimit serb – i është “prerë shiriti”, duke i hapur dyert për mbi 100 albanologë e studentë që duan ta mësojnë shqipen.
Dijetarët elitarë të albanologjisë në Kosovën e fillimviteve ’70 do të bënin një hap që për kohën shkonte përtej shkencës. Themelimi i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e bëri Prishtinën qendër për albanologët e huaj. E po ashtu edhe pikë prej ku dija albanologjike i shpërndante fijet nëpër glob. Tash e më shumë se gjysmë shekulli, Prishtina mbledh albanologë e studiues të rinj nga i gjithë globi. Të hënën rituali u rikthye. Edicionit të 43-të të Seminarit – që në vitet ’90 nuk mbajti disa edicione shkaku i regjimit serb – i është “prerë shiriti”, duke i hapur dyert për mbi 100 albanologë e studentë që duan ta mësojnë shqipen.

Temat bosht në sesionin shkencor të gjuhësisë do të jenë dy: “Zhvillimet aktuale në leksikun e shqipes” dhe “Shqipja në rrjetet sociale”, përderisa në sesionin e letërsisë temë bosht do të jetë “Postmodernizmi në letërsinë shqipe”. Sesionet, siç ngjan përherë, janë të hapura për publikun. Kurset e gjuhës për studentë të huaj që e studiojnë shqipen, po ashtu do të mbahen sikurse në çdo edicion, shkruan Koha.net.
Drejtoresha e Seminarit, Lindita Sejdiu-Rugova, nl fjalën e hapjes ka thënë se institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë. Sipas saj, po ashtu është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global.

“Por edhe prezantimi i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, ka thënë ajo. Sipas Sejdiu-Rugovës, qëllimi i drejtuesve të gjysmëshekullit të ri të Seminarit është si ta mbajnë gjallë këtë traditë në një kohë shumë të pafavorshme për shkencat humanistike në përgjithësi.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, e ka kujtuar kohën e themelimit të Seminarit, telashet e atëhershme dhe ka konstatuar se ky organizim është identitar.

“Larg nga paragjykimet dhe floskat ideologjike, Seminari ishte dhe vazhdoi të mbetet simbol i Kosovës identitare, simbol i shkencës dhe i dijes”, ka thënë ai. Kraja u është drejtuar studiuesve të huaj, duke thënë se  nikoqirët janë të vetëdijshëm që në punën e organizimit të Seminarit, të mësimdhënies, dhe ligjërimit, do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore siç do të jetë e nevojshme që dijet albanologjike, përfshirë studimet gjuhësore dhe letrare, ta braktisin pozitivizmin dhe ta zhvillojnë mendimin kritik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është shprehur se intimiteti i pazgjidhshëm i marrëdhënies mes mendimit dhe gjuhës do të mbetet përherë çështje e njerëzimit, pra edhe e formimit tonë kulturor. Sipas tij, vetë kultura është kjo pazgjidhshmëri e kamotshme dhe e përjetshme.

“E, gjuhëtarëve u takon ta shtjellojnë disi këtë me të gjitha nëndisiplinat e tyre. Çdo seminar ndërkombëtar për gjuhën, edhe ky seminar i 43-të, ka një rol të madh në llogaritjen më të rëndësishme të bazës që i shërben mendimit deri madje edhe me kushtëzim të tij. Sepse, siç e dimë, te raporti midis mendimit dhe gjuhës, vijnë e ngatërrohen mundësimi dhe kushtëzimi”, ka thënë ai në fjalimin gati 13-minutësh.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdullah Rexhepi, ka thënë  se duke qenë të vetëdijshëm për idealet e larta të themeluesve të seminarit, sot vazhdojnë ta ndiejnë detyrimin që organizimi të jetë në përputhje me standardet më të larta akademike, si dhe kulturore.

“Gjatë këtyre dy javëve, krahas kurseve të gjuhës shqipe për pjesëmarrësit e ardhur nga vendet e ndryshme të botës, do të zhvillohen edhe 11 ligjërata nga albanologë të shquar vendorë dhe të jashtëm, 84 referime nga fusha të ndryshme të albanologjisë, si dhe 50 kumtesa shkencore në kuadër të temave bosht të këtij seminari”, ka thënë ai. Nga Shqipëria qenë dy folës: bashkëdrejtori i Seminarit, Shezai Rrokaj, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan Koha.net.

Spread the love