• E enjte, 19 Shkurt, 2026

Mali me mal nuk bashkohet, por njeriu me njeriun bashkohet

EA
Korrik25/ 2025

Nga Nexhmedin AZEMI/ Antali

Ditët përcëlluese të korrikut, saora u kthyen në një freski shpirti. Kjo zakonisht ndodhë rrallë. Dhe më rrallë ndodhë që të takosh një njeri të dashur kur më së paku e pret një gjë të tillë. Kështu ndodhi edhe me mua, teksa po shëtitesha bashkë me familjen buzë bregut të detit në Antali dhe për një moment syri më kapi një fytyrë të njohur, një burrë fisnik, me të cilin ishim takuar para dhjetë viteve. Por, as në ëndërr nuk e kisha mendu se do ta takoja kështu ratësisht z. Ali Kemal Sopin, me të cilin pasi u përqafuam dhe shkëmbyem ritualet e zakonshme të përshëndetjeve, pa humbur kohë pranuam ofertën e tij që t’i shkojmë në konak ku do ta takojmë edhe zonjën Xhevahire Cërvadikun
Historia e Ali Kemal Sopit, sa është krenrare, është edhe e dhimbshme. I mbetur jetim qysh në moshën 11 vjeçare, atij iu desht të merrte barra të rënda të jetës dhe kështu jeta e mësoi të bëhet burrë para kohe. Por , kjo i ndihmoi të mësoj zanatin më të vështirë të jetës: që të mbijetoj duke qëndruar vertikalisht, i ndershëm, besnik dhe i përkushtuar ndaj familjes.
Ai më vonë mori edhe një zanat tjetër, një zanat që atij dhe familjes i siguroi ekzistencë dhe perspektivë. Ali Kemal Sopi bashkë me zonjën e tij për disa dekada ushtruan zanatin e floktarisë dhe ata tash më bëjnë pjesë në rangun më të respektuar të esnafëve të Stambollit.


Jo vetëm për faktin se ata jetojnë në një prej lagjeve më prestigjioze të këtij qyteti, në Etiler, por edhe për shkak të reputacionit të mirë që gëzojnë, Ali Kemal Sopi me zonjën e tij dhe gjithë familjen, aktualisht përbëjnë shtresën më të nderuar të qytetarëve me origjinë nga Rumelia që i kanë dhënë Stambollit nder, krenari e lavdi.
E shpërngulur nga Kosova në vitin 1958, familja Sopi gjeti strehë e ngrohtësi në Turqi dhe tani pas gati 70 viteve nuk e kanë shkulur nga zemra mallin për vendlindjen. Jo vetëm pse u pajis me shtetësinë e Kosovës, por Ali Kemal Sopi Kosovën e mban në shpirt gjithmonë. Dhe këtë dashuri për vendlindjen ua ka bartur edhe fëmijëve të tij. Prandaj, ata janë një shembull për t’u admiruar nga të gjithë ata që jetojnë larg vendlindjes. Sepse, mali me mal nuk bashkohet, por ne sërish u (ri)bashkuam……
Uroj nga zemra që ta takojmë sërish z. Ali Kemal Sopin, dhe zonjën Xhevahire Cërvadikun, duke iu dëshiruar atyre shëndet dhe gëzime të shumta në familje.

Antali, 25 korrik 2025




Spread the love